Bota

Sot 1 vit luftë! Më 24 shkurt Rusia nisi pushtimin në Ukrainë; mbi 150 mijë viktima!

Sot shënohet 1 vit nga fillimi luftës në Ukrainë. Ishte mbrëmja e 23-24 shkurtit 2022 kur filloi pushtimi rus. Gjatë këtyre 365 ditëve të përgjakshme, gjërat kanë ndryshuar shumë por ukrainasit nuk janë dorëzuar. Një mesazh e pati edhe Volodymyr Zelensky për përvjetorin e parë të luftës duke thënë me bindje se ky do të jetë viti i fitores.

“Më 24 shkurt, miliona prej nesh bëmë një zgjedhje. Jo flamuri i bardhë, por ai verdheblu. Jo duke ikur, por duke u përballur. Duke rezistuar dhe luftuar. Ka qenë një vit dhimbjeje, trishtimi, besimi dhe bashkimi.

E dimë që viti 2023 do të jetë viti i fitores sonë”, shkroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Twitter, duke publikuar një video me pamje të konfliktit një vit pas fillimit të tij.

Kina kërkon armëpushim dhe fund të luftimeve në Ukrainë duke kërkuar që të mbahen të sigurt centralet bërthamore dhe t’i jepet fund kërcënimeve për sulme bërthamore. Po ashtu, në dokumentin për zgjidhjen e krizës ukrainase, të strukturuar në 12 pika nga Ministria e Jashtme kineze, sugjerohet “të përmbahen sulmet ndaj civilëve dhe strukturave civile”.

Ukraina dhe Rusia kanë një histori të gjatë dhe të ndërlikuar. Ukraina u bë e pavarur në vitin 1991, pas rënies së Bashkimin Sovjetik, dhe gradualisht u afrua me Bashkimin Evropian dhe Perëndimin. Për vite me radhë, Putin i mohoi Ukrainës shtetësinë e saj, duke kulmuar me një reagim të gjatë të vitit 2021 duke thënë se rusët dhe ukrainasit ishin “një”.

Ai shpesh akuzoi Ukrainën se po pushtohej nga ekstremistët, që kur presidenti i saj pro-rus, Viktor Janukoviç, u rrëzua në vitin 2014 pas muajsh protestash kundër sundimit të tij. Në atë kohë, Rusia u hakmorr duke pushtuar rajonin jugor të Ukrainës të Krimesë. Një kryengritje nga separatistët e mbështetur nga Rusia shkaktoi një luftë që mori rreth 14,000 jetë.

Në vitin 2021, Putin filloi të vendoste një numër të madh trupash ruse afër kufijve të Ukrainës. Për muaj të tërë Putini e kishte mohuar se do të pushtonte fqinjin e tij. Duke shpallur pushtimin më 24 shkurt 2022, ai akuzoi NATO-n se po kërcënonte “të ardhmen historike të Rusisë si komb”.

SHBA kishte paralajmëruar partnerët e saj evropianë se manovrat ushtarake në kufijtë e Rusisë ishin në përputhje me përgatitjet për një sulm ndaj Ukrainës, por, deri në këtë ditë të vitit të kaluar, pakkush besonte se Rusia mund të fillonte me të vërtetë pushtimin që bëri.

Megjithatë, ndoshta po aq pak menduan se Ukraina do të ishte në gjendje të rezistonte për kaq kohë.