Aktualitet Travel

“SOS International” për Shqipërinë: Destinacioni i preferuar europian për pushime!

“Shqipëria po kthehet në destinacionin e preferuar europian për pushime, duke tërhequr turistët falë bregdetit të saj të mahnitshëm, klimës së këndshme, si dhe çmimeve buxhetore”. Revista globale “SOS International” ka zgjedhur që të ndajë këshillat e saj më të mira për atë që duhet të keni parasysh përpara udhëtimit tuaj në Shqipëri, te “Maldivet e Europës”.

Nga ekspertët e udhëtimeve, Shqipëria është konsideruar si “Maldivet e Europës”, një perlë e paprekur. Gjithnjë e më shumë turistë nordikë kanë vizituar vendin ballkanik, i cili ndodhet midis Greqisë e Malit të Zi.

Në “SOS International”, Shqipëria po lëviz në statistika. Vendet e preferuara janë Spanja, Greqia e Turqia por Shqipëria, një destinacion i ri turistik, po ofron standarte europiane të shërbimeve e ku vizitorët nordikë mund të marrin ndihmë në rast se lëndohen ose sëmuren gjatë udhëtimit të tyre.

Vitin e kaluar, Aeroporti i Tiranës priti 7,26 milion pasagjerë, një rritje prej 40% krahasuar me 2022-shin, duke e bërë atë një nga aeroportet me rritjen më të shpejtë në rajon. Rritja e vazhdueshme e turizmit, si dhe zgjerimi i rrjetit të fluturimeve të aeroportit kontribuan në këtë performancë rekord.

Me Shqipërinë e njohur tashmë si një nga destinacionet e reja turistike të Europës, një numër në rritje vizitorësh po vërshojnë në këtë vend për të përjetuar plazhet piktoreske, vargmalet e thyer malorë e vendet historike. Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, po ashtu po fiton popullaritet falë jetës së saj të gjallë të natës, festivaleve kulturore e atraksioneve historike që ofron.

Trashëgimia e pasur kulturore e vendit, peizazhet piktoreske, si dhe mundësitë në rritje të biznesit kanë të ngjarë që të mund të tërheqin edhe më shumë vizitorë në vitet në vijim, duke e forcuar edhe më tej rolin e Tiranës si një portë kyçe në Europën Juglindore, sipas vlerësimeve nga “Travel and Tour World”.