Muzikali francez “Notre Dame de Paris”, sot ngjitet në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, prej orës 19:00. Mes një trupe ndërkombëtare, roli i Esmeraldës iu besua këngëtares së njohur Elhaida Dani, e cila në një konferencë për shtyp paralajmëroi “një natë të paharrueshme”.
Artistikisht të luaj rolin e të fitoj audicionet për të luajtur Esmeraldën ishte një arritje e madhe për mua si artiste, ndërsa nga ana humane e jetova dhe vetë kur 19 vjeç shkova në Itali e provova të jetoj në një vend ku nuk dija gjuhën dhe doja të ndihesha si të tjerët. Por, prapë ndihesha e huaj si Emeralda e mundohesha të krijoja identitetin tim. Sa herë mundohem të ringjall këtë rol në skenë, mundohem të kem emocionet që kam përjetuar, por edhe nga të afërm e bashkatdhetarë të mi.
Kompozitori i njohur italo-francez, Riccardo Cocciante, bashkëpunimet e të cilit me Elhaidën datojnë që kur nën drejtimin e tij artistja shkodrane fitoi “The Voice of Italy”, më 2013-ën si pjesë e Team Cocciante, tregoi se “Notre Dame” duhej të vinte në Shqipëri.
Ky është një vend që e meriton, një vend që ka jetuar me një të shkuar të vështirë më parë, me pushtimin fashist gjithashtu e pastaj me një diktator dhe tani po hapet. Eshtë një vend që mbase më në fund fillon të jetojë. I thamë vetes se ndoshta është momenti që “Notre Dame” të vij në Shqipëri. Elhaida ka një zë fantastik, një amplitudë fantastike zëri e gjithashtu ndjenjë.
Muzikali “Notre Dame de Paris” mban firmën e Cocciante-s e të Luc Plamondon. Elhaida u ftua nga të dy autorët e projektit për të luajtur rolin e Esmeraldës në muzikalin e famshëm botëror, pjesë e librit të rekordeve Guinness. Duke njohur terren të gjerë në botë, vepra është e përkthyer në 7 gjuhë.
“Notre-Dame de Paris” bazohet në romanin me të njëjtin titull të romancierit francez Victor Hugo. Prej vitit 2016, Elhaida Dani dhe “Notre Dame de Paris”, po udhëtojnë anëkënd botës duke e prezantuar përpara artdashësve në Francë, Liban, Rusi, Taivan, Kanada, etj.
Ky është prej spektakleve më të mëdhenj në botë, me një trupë përfaqësuese profesionistësh.