Bota Sport

Sonte Holandë-Turqi, zyrtarët turq thirrje për festime të qeta nëse fitojnë!

Ambasadori i Turqisë në Austri, Ozan Ceyhan, tha se shpreson që tifozët të tregojnë vetëpërmbajtje në festimet e tyre nëse kombëtarja turke mposht Holandën sonte në çerekfinalen e Kampionatit Europian të Futbollit në Berlin. Të martën, Turqia mundi 3:2 Austrinë, në një ndeshje drithëruese në 1/8 në Leipzig e tani e pret një përballje e madhe në kryeqytetin gjerman, aty ku jetojnë rreth 250 mijë emigrantë turq.

Fitorja ndaj Austrisë nxiti festë të madhe në qytete europiane, me tifozët që valëvitën flamuj dhe i ranë borive të makinave të tyre gjatë gjithë natës.

Kur ta fitojmë ndeshjen kundër Holandës, besoj se ndoshta nuk do të kemi nevojë t’i shqetësojmë fqinjët dhe miqtë tanë austriakë me bori e zhurma të panevojshme. Mund të festojmë më me qetësi e butësi, theksoi Ceyhan duke folur për mediat turke në Austri.

Angli-Zvicër në orën 18:00 e Holandë-Turqi më 21:00, janë dy çerekfinalet e fundit që luhen sot. Fituesit i pret sfida e 10 korrikut, e paraprirë nga gjysmëfinalja e 9 korrikut, Spanjë-Francë.

Franca, dy herë kampione e Europës është në gjysmëfinalen e “Euro 2024”-ës, pasi në një ndeshje që zgjati deri rreth mesnate, mposhti Portugalinë 5-2 me penallti pas barazimit pa gola, në Hamburg. Joao Félix humbi goditjen e vetme nga pika dhe hapi rrugën për fitoren e Francës, e cila u kompletua me golin e Lucas François Bernard Hernández.

Portugalia pati shanset më të mira për të marrë fitoren gjatë kohës së rregullt, duke e detyruar portierin Mike Maignan në dy pritje të mëdha për të mohuar Bruno Fernandes në minutën e 61-të dhe më pas Vitinha në të 63-tën.

Kësaj radhe, fituesit e “Euro 2016”-ës nuk ishin dhe aq me fat e i thanë lamtumirë garës, ndërsa super ylli Cristiano Ronaldo nuk arriti të shënonte e të bëhej golashënuesi më i moshuar në historinë e turneut. Ronaldo u tregua i suksesshëm në penallti kundër Sllovenisë, por këto gola nuk janë pjesë e statistikave zyrtare.

Më herët ishte Spanja që po dje u kualifikua në gjysmëfinalet e “Euro 2024”-ës duke mundur vendin pritës, Gjermaninë me rezultatin 2-1, pas kohës shtesë, në Shtutgart.

Dani Olmo shënoi në minutën e 51-të për Spanjën dhe gjermani Florian Wirtz barazoi në minutat e fundit të kohës së rregullt (89′) përpara se Mikel Merino të kualifikonte skuadrën e tij me një goditje me kokë (119′). “La Furia Roja” apo Furia e Kuqe do të takohet në gjysmëfinale, të martën e ardhshme në Mynih, me Francën.

Pas ndeshjes me Gjermaninë, trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, u shpreh shumë i kënaqur, teksa gjatë deklaratës së tij tha:

Ta vlerësojmë këtë arritje dhe të shijojmë momentin. Do ta shohim si do të rikuperohemi fizikisht për gjysmëfinalen. Jam i bindur që të gjithë lojtarët do të jenë gati. Drejtoj një skuadër të jashtëzakonshme. Për mua është krenari që drejtoj lojtarë të tillë. I njoh prej vitesh shumë prej tyre. Ata janë mësuar të luajnë në nivele të larta dhe janë gati ta fitojnë Europianin.