Sonte Kombëtarja luan sfidën ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League. Ndeshja në stadiumin “Epet Arena” nis të luhet në orën 20:45. Në prag të saj, mbrëmë trajneri Silvinjo dhe mesfushori Nedim Bajrami dolën në konferencën zyrtare për media dhe folën për këtë sfidë.
Trajneri i Kombëtares u shpreh se ndeshja ndaj Çekisë është shumë e rëndësishme dhe njëkohësisht edhe e vështirë, pasi Çekia ka një skuadër shumë të mirë. Sa i përket ekipit tonë, tekniku i kuqezinjve u shpreh se përgatitjet kanë shkuar shumë mirë dhe se skuadra është gati për të dhënë maksimumin nesër në fushë. Ndër të tjera, trajneri Silvinjo riktheksoi se ekipi shqiptar po rritet dhe po përmirësohet shumë si skuadër.
Do të jetë një ndeshje e rëndësishme duke qenë se Çekia është skuadër shumë fizike, bën tranzicione të shpejta, do të jetë e vështirë. Çekia ka shumë lojtarë të mirë, ka mesfushorë të mirë që mund të shënojnë edhe gola. Sulmuesi i tyre po ashtu është shumë i fortë, por ne jemi këtu për të luajtur. Janë 90 minuta përpara, jemi përgatitur. Asnjë trajner nuk e përgatit ndeshjen për të barazuar, por ne do të futemi në fushë për të dhënë më të mirën.
Eshtë një sfidë e vështirë, shohim vazhdimisht kundërshtarin. Por jemi të bindur për formacionin që do të zgjedhim. Do të jetë e vështirë, por na pret një ndeshje e bukur. Eshtë një ambient i bukur. E tillë është puna në Kombëtare, duke qenë se çdo gjë ecën shumë shpejt. Nuk ka shumë kohë për të humbur. Kemi zhvilluar disa seanca stërvitore, kemi analizuar ndeshjet. Kemi pasur pak kohë, por duhet të futemi në fushë për të dhënë më të mirën.
Mungesat në sulm
Para një muaji kishim Manajn dhe mungonte Daku, tani kemi Dakun dhe mungon Manaj. Janë dy sulmues shumë të fortë me karakteristika të ndryshme. I kemi pasur edhe në Europian dhe pas Europianit. Në ndeshjet e shtatorit Manaj ishte pak i lodhur në sfidën e dytë, por kjo është puna e stafit dhe e trajnerit. Duhet të gjesh zgjidhje për të ecur përpara. E gjithë puna e Kombëtares nuk është e përqendruar në vetëm 10 ditë. I gjithë stafi punon në kohë të zgjatur dhe nuk punon me vetëm 23 lojtarë, por edhe me listën në pritje me rreth 60 lojtarë, pas të cilëve ne jemi gjithmonë i njohim dhe i ndjekim.
Këtë herë kemi marrë Tucin, e njohim dhe luan këtu në Çeki. Eshtë lojtar fizik dhe i mirë, nuk luan fiks si sulmues kryesor, por si trekuatrist dhe mesfushor i avancuar. Ka ardhur në Tiranë menjëherë pas ftesës dhe tani kthehet përsëri në Çeki. Eshtë lojtar interesant dhe tani ka mundësi për të treguar veten.
E kam thënë edhe më përpara, unë nuk besoj në eksperimente, por besoj në mundësitë që mund të jepen. Nuk ka rëndësi nëse një lojtar luan 20 apo 90 minuta, por mund të ketë hapsirë për të qenë në Kombëtare. Stafi duhet të krijojë mundësi, të punojë dhe të gjej zgjidhje.
Bajrami: Kombëtarja jonë do të japë maksimumin
Mesfushori Nedim Bajrami u shpreh para mediave se skuadra jonë e ka përgatitur mirë ndeshjen dhe të gjithë e dinë se çfarë i pret në stadiumin “Epet Arena”. Ndër të tjera, mesfushori kuqezi vlerësoi skuadrën çeke, por nënvizoi se Kombëtarja jonë do të japë maksimumin. Pas Çekisë, më 14 tetor zhvillohet takimi Gjeorgji-Shqipëri në orën 18:00.