Bota

Sondazhi në TAR/ Mendoni se me zgjedhjen e Donald Trump si president i SHBA, do të ndalet lufta në Ukrainë?

Vetëm pak pas rezultatit të zgjedhjeve presidenciale në SHBA, Moska rinisi ofensivën në Ukrainë me bombardime të ashpra Odessa e Kharkiv. Bashkimi Europian po përpiqet të qetësojë qeverinë Zelensky, teksa sulmet ajrore ruse dhe mësymjet tokësore vazhdojnë dhunshëm në qytete dhe në frontin e luftës midis Donbass dhe rajonit të Kurskut.

Shefi në largim i politikës së jashtme dhe sigurisë së bllokut, Josep Borrell mbërriti në Kiev për të diskutuar mbështetjen europiane përballë shqetësimit në rritje për zgjedhjen e Donald Trump dhe mundësinë e eklipsit të angazhimit ushtarak amerikan kundër ekspansionizmit rus. “Mesazhi është i qartë: ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën për aq kohë sa të mundemi, siç kemi bërë deri tani”, deklaroi kryediplomati europian ndersa mediat lokale raportonin viktimat civile dhe dëmet e shkaktuara nga bombardimet e fundit ruse. Të paktën një vdekje u shënua në Odessa nga sulmet me dronë në zonën e portit tregtar. Në shënjestër u vu edhe Kharkivi, ku “bomba rrëshqitëse” goditen qendrën e qytetit. Portalet ushtarake shkruajnë po ashtu se në Donbas rusët kanë pushtuar të paktën 7 fshatra të vegjël në orët e fundit.

Lidhur me zgjedhjet presidenciale në SHBA, në faqen e Top Albania Radio, kishim ngritur një sondazh. Sipas ndjekësve tanë, mendoni se me zgjedhjen e Donald Trump si president i SHBA, do të ndalet lufta në Ukrainë? Përgjigjet ishin këto: 40% kanë votuar për “Po”, 40% kanë votuar për “Jo” dhe 20% kanë votuar për “Nuk e di”.

Nga ana tjetër, sondazhi i ri në faqen tonë ngre pyetjen: “A mendoni se ndërhyrja e Elon Musk në lidhje me çështjen e emigracionit ‘të paligjshëm’ Itali-Shqipëri është e drejtë?” Votoni në këtë link për të dhënë mendimin tuaj.