Sport

Sondazhi i TAR/Cila skuadër mendonin ndjekësit tanë se do të fitonte në Euro 2024?

“Mbret” të Evropës, kampion në Berlin, me Spanjën që triumfon në finalen e madhe duke thyer Anglinë me rezultatin 2-1. Gola, spektakël, me Furinë e Kuqe që i bën një mbyllje perfekte këtij Evropiani, ndërsa kupa mbetet makth për Anglinë, me ishullorët që dalin sërish duar bosh.

Skuadra e De La Fuentes ka qenë një nga më të bukurat në këtë turne, duke prodhuar futboll të shpejtë. Në grupe ata morën tre fitore radhazi, duke mposhtur Kroacinë, Italinë dhe Shqipërinë. Nga faza e 1/8-ave e deri në gjysmëfinale, “La Roja” triumfoi kundër Gjeorgjisë, Gjermanisë dhe Francës.

Sa i përket ekipit të Southgate, duket se ata kanë luajtur një lojë vetëm për të fituar. Në grupe, ata mundën Serbinë në ndeshjen e parë, teksa barazuan me Danimarkën dhe Slloveninë në dy të tjerat. Në fazën e 1/8-ave erdhi fitorja e vuajtur me Sllovakinë, kualifikimi përballë Zvicrës në çerekfinale dhe fitorja në frymën e fundit kundër Holandës në gjysmëfinale.

Në faqen tonë të Web-it ne ngritëm një sondazh për lexuesit tanë. Pyetja ishte: “Cila skuadër mendoni se do të fitojë në Euro 2024?” Shumica kanë votuar Spanjën me 54%, ndërsa 46% kanë menduar se do të fitojë Anglia.

Nga ana tjetër sondazhi i ri ngre pyetjen: “Si ju duken çmimet këtë sezon veror në vendpushimet në Shqipëri, në krahasim me vitin e kaluar?” Votoni në këtë link për të dhënë mendimin tuaj.