Aktualitet

Sondazh në TAR/ A jeni dakord me projektligjin për abortin dhe surrogacinë?

Komunitetet fetare në vendin tonë shprehen njëzëri kundër projektligjit “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”, që sipas tyre bie ndesh me Kodin e Familjes.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, i përbërë nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike në Shqipëri, Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë i janë drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë me një kërkesë për moskalimin e këtij projektligji në Kuvend. Ata rendisin pesë argumentet se përse janë kundër. Sipas tyre sterilizimi ndikon negativisht në jetën e një personi, cilësojnë si krim ndërprerjen e vullnetshme të shtatzënisë, kërkojnë që surrogacia të mos lejohet sepse prek dinjitetin e gruas dhe fëmijës si dhe përbën rrezik për trafikimin e qenieve njerëzore.

Së pari: ne jemi kundër parashikimit të sterilizimit si metodë e planifikimit familjar, veç rasteve kur ka tregues mjekësorë, sepse sterilizimi është një ndërhyrje mjekësore e pakthyeshme dhe ndikon negativisht në shëndetin dhe jetën e personit, i ndaluar edhe në vendet më të zhvilluara; si dhe gjithashtu sepse bie ndesh me parimet që mbrojnë familjen dhe jetën.

Së dyti: në asnjë gërmë të projektligjit nuk gjejmë kujdesin e nevojshëm, që i duhet kushtuar politikave për shtimin e mbështetjes dhe nxitjen e lindshmërisë në vendin tonë me masa sociale, ekonomike, edukative dhe shëndetësore.

Në një sondazh të bërë nga TAR, ndjekësit tanë kanë pasur mundësi që të japin mendimin e tyre nëse janë dakord me projektligjin për abortin dhe surrogacinë. Shumica, pra 74% kanë zgjedhur “Jo”, teksa 23% kanë zgjedhur “Po” Por, nga ana tjetër një përqindje e vogël, 3%, ende janë në dyshim dhe kanë votuar “Nuk e di”.

Nga ana tjetër, sondazhi i ri në faqen tonë ngre pyetjen: “A mendoni se kombëtarja do kalojë fazën e parë të kualifikimeve në Euro 2024?”. Votoni në këtë link për të dhënë mendimin tuaj.