Celebrities Live From Tirana Music Showbiz

Solli ripunimin e “Fustanin që ta solla mbrëmë”, Rilind Alimani: “Kërkoja hite të vjetra që nuk ka njeri që nuk i pëlqen…”

I ftuar në studion e “Live From Tirana” ka qenë një ndër artistët më të rinj e të talentuar, Rilind Alimani, i cili së fundmi ka publikuar albumin e tij “Unity” volumi i parë. Një nga këngët e albumit është dhe “Fustanin që ta solla mbrëmë”, me të cilën Rilindi është prej dy javësh pjesë e “The Top List”. Ai na ka folur më shumë për këtë projekt, albumin e tij, ku e gjen frymëzimin, si dhe planet për volumin e dytë të albumit…

Si lindi ky ripunim i versionit të vjetër të “Fustanin që ta solla mbrëmë”?

Në fillim ishte ideja të bëja një album dhe kërkoja këngë të vjetra, hite që nuk ka njeri të ri e të vjetër që nuk i pëlqen. E bëra demon dhe thirra Agonin, por nuk i thashë që ushte një këngë e vjetër sepse ai është reper dhe kisha frikë se mos nuk pranonte. Kur erdhi në studio e pëlqeu menjëherë dhe nuk e prita as vetë që do dilte kaq e mirë kjo këngë.

Çfarë mund të thuash për albumin tënd?

Tek volumi i parë i albumit “Unity” ka 10 këngë, ku 6 janë bashkëpununime dhe 4 solo. Albumi ka bashkëpunime me Iranya, Indrit Doda, Fjolla Ibrahimin, një duet me Hajdar Hajdarin ose me emrin e tij të artit Dalee, vajzën e Arif Ziberit të Elita 5, Elita Ziberin. Që në momentin e parë që ua kam thënë nuk e kanë diskutuar dy herë por ishin të gatshëm. Për këtë i falënderoj.

Kënga e parë e albumit mban titullin “M’ke bo me vujt”. Kush të ka bërë ty të vuash?

Kjo këngë ka tre vite që nuk e kam prekur me dorë, thjesht e kam punuar dhe e kam lënë aty. Është ajo pjesa tek çdo i ri që dashurohet, që thotë se nuk ka më mirë se kaq. Dhe vjen një pjesë që mbaron mjalti. Kur hyj të krijoj diçka i them vetes se për çfarë do punojmë sot, për shembull do bëjmë një baladë romantike dhe nis të shkruaj historinë time.

Albumi yt ka 10 këngë, cila është e preferuara jote apo që është më pranë historisë tënde?

Sa herë shkruaj, kam dhe shoqërinë që më ndihmojnë me tekstet kur më rrëfehen mua ose kur unë u rrëfehem atyre. Ndonjëherë marr diçka me vete, një histori të një miku, nga filmat me historitë mes çifteve, ose të krijoj diçka vetë. Por nuk mund të them një të caktuar se është gjynah.

Pse ky emër i albumit, “Unity”?

Arsyeja e parë është bashkimi i shoqërisë sime të ngushtë. Dhe arsyeja e dytë është që kam bashkuar zhanre të ndryshme muzikore. Edhe tek albumi i dytë nuk dua të dal nga 10 këngë.

Kur del albumi i dytë?

Mua planet nuk më dalin kurrë. Sa herë kam bërë plane janë djegur. Mendoj se në janar ose në shkurt do të dalë volumi i dytë.

Nëse edhe juve ju pëlqen kënga “Fustanin që ta solla mbrëmë”, ju mund të vazhdoni ta votoni atë për të qenë sa më gjatë pjesë e “The Top List”.