Aktorja e njohur Drew Barrymore po solidarizohet me anëtarët grevistë të Shoqatës së Shkrimtarëve të Amerikës duke dhënë dorëheqjen si drejtuese e “MTV Movie & TV Awards” që është planifikuar të transmetohet më 7 maj. Barrymore në një deklaratë për CNN tha se:
Unë i kam dëgjuar shkrimtarët dhe për t’i respektuar ata, do të largohem nga organizimi i drejtpërdrejtë i “MTV Movie & TV Awards” në solidaritet me grevën. Gjithçka që ne festojmë dhe nderojmë për filmat dhe televizionin lind nga krijimi i tyre. Derisa të arrihet një zgjidhje, unë jam duke zgjedhur të pres, por do të shikoj nga shtëpia dhe shpresoj se do të bashkoheni me mua.
Barrymore shtoi se ajo mezi pret të jetë pjesë vitin tjetër, kur mund të festoj me të vërtetë gjithçka që ka krijuar MTV. Bruce Gillmer, producent ekzekutiv i “MTV Movie & TV Awards”, tha në një deklaratë për Variety se Barrymore ka mbështetjen e plotë të producentëve të shfaqjes teksa ajo ka vendosur të largohet si prezantuese e këtij viti.
Një burim i afërt me “MTV Movie & TV Awards” konfirmoi se Barrymore do të kthehet për të drejtuar edicionin e 2024 të shfaqjes. Ceremonia e ndarjes së çmimeve është ngjarja më e fundit televizive që preket nga greva. Në fillim të kësaj jave, CNN raportoi se shfaqjet e natës së vonë dhe “Saturday Night Light” po shfaqin emisione të mëparshme pasi shkrimtarët e tyre bashkohen me grevën, sipas burimeve të prodhimit.
Rikujtojmë, se greva nisi të martën pasi Shoqata e Shkrimtarëve të Amerikës dhe studiot kryesore të Hollywoodit të përfaqësuara nga Aleanca e Prodhuesve të Televizionit të Filmit nuk arritën një marrëveshje për kushtet e një kontrate të re. Anëtarët e stafit kanë protestuar jashtë studiove duke mos dhënë shenja të ndaljes së grevës. “MTV Movie & TV Awards” është ende e planifikuar të transmetohet drejtpërdrejt në MTV të dielën.