Themeluesi dhe CEO i SpaceX, Elon Musk, njoftoi se satelitët e internetit Starlink të kompanisë janë tani aktivë në Ukrainë pasi vendi vuan nga ndërprerjet e energjisë elektrike për shkak të pushtimit të Rusisë. Musk, CEO i Tesla shkroi në Twitter se:
Shërbimi Starlink tani është aktiv në Ukrainë. Më shumë terminale gjatë rrugës.
Zëvendëskryeministri i Ukrainës i kërkoi Musk që të ofrojë shërbimin e internetit për vendin në mes të sulmeve ruse dhe Musk e bëri të mundur këtë gjë, sipas një shkëmbimi komunikimesh në Twitter mes të dyve ditën e shtunë. Mykhailo Fedorov, ministër i transformimit dixhital të Ukrainës, i shkroi Musk se:
Ndërsa ju përpiqeni të kolonizoni Marsin, Rusia përpiqet të pushtojë Ukrainën. Ndërsa raketat tuaja zbarkojnë me sukses nga hapësira, raketat ruse sulmojnë njerëzit civilë ukrainas! Ne ju kërkojmë të pajisni Ukrainën me stacione Starlink.
Starlink është një plejadë interneti e bazuar në satelitë që synon të mbulojë planetin me shpejtësi të lartë dhe mund të sjellë potencialisht lidhje për miliarda njerëz të cilëve ende u mungon aksesi në internet. Ka pasur ndërprerje të përhershme të energjisë në Ukrainë, por interneti është ende përgjithësisht i disponueshëm.
Sistemi Starlink u përdor kohët e fundit në Tonga, në Oqeanin Paqësor Jugor, për të ofruar shërbimin e internetit për të lidhur fshatrat e largëta pas shpërthimit të një vullkani nënujor në janar. Ndërkaq, Alphabet, kompania amë e platformës, YouTube, ka thënë se mediat shtetërore ruse nuk do të mund të përfitojnë nga reklamat më në këtë rrjet.
Kjo nënkupton që Russia Today (RT) dhe kanale të tjera nuk mund të marrin para nga reklamat në YouTube dhe faqe tjera që janë në pronësi të Alphabet. Kompania ka thënë se këto media as nuk do të mund të blejnë reklama përmes shërbimeve të kompanisë Google.