Snapchat-i po punon për ta bërë më të vështirë kontaktimin e adoleshentëve nga të panjohurit, me qëllimin për të ndaluar mashtrimin dhe shfrytëzimin seksual. Kompania njoftoi një sërë veçorish të reja sigurie. Një ndër to është paralajmërimi me anë të një njoftimi kur adoleshentët marrin mesazhe nga dikush me të cilin nuk kanë miq të përbashkët, nuk e kanë në kontaktet e tyre por edhe kur është bllokuar ose raportuar nga të tjerët.
Gjithashtu, do të parandalojë dërgimin e kërkesave për miqësi si nga ana e adoleshentëve dhe nga të panjohurit, nëse nuk kanë miq të përbashkët. Përveç kësaj, veçoritë e reja synojnë edhe parandalimin e mashtrimit financiar, një lloj mashtrimi shqetësues dhe në rritje në mediat sociale, ku shantazhuesit fitojnë besimin e të rinjve, duke i bindur ata të dërgojnë foto ose video intime me qëllim të përfitimit seksual.
“Këto veçori janë krijuar për të mbrojtur më mirë adoleshentët nga dëmtimet e mundshme në internet dhe për të përmirësuar lidhjet me miqtë e vërtetë që e bëjnë Snapchat-in kaq unik,”-tha Shefja Globale e Sigurisë së Platformës së Snapchat-it, Jacqueline Beauchhere.
Ekspertët kanë paralajmëruar vitet e fundit për një rritje të mashtrimeve me përmbajtje seksuale në internet, në të cilat shantazhuesit synojnë fëmijët dhe adoleshentët, shpesh me profile që duket se u përkasin adoleshentëve. Në disa raste, shantazhi ka përfunduar në vetëvrasje.
Kompania gjithashtu ka lançuar një seri të videove në YouTube për prindërit në lidhje me veçoritë dhe një ueb-sajt të përditësuar ku vihen në pah politikat e saj të sigurisë për adoleshentët dhe kontrollit prindëror. Veçoritë e reja vijnë mes presionit në rritje në platformat e mediave sociale nga ligjvënësit, edukatorët dhe prindërit për të mbrojtur përdoruesit e rinj nga përmbajtja e papërshtatshme.
Snapchat do t’u kërkojë përdoruesve nga 13 deri në 17 vjeç që të kenë një numër më të madh miqsh të përbashkët me një llogari tjetër si një përpjekje për të shmangur që adoleshentët të shtojnë miq të cilët nuk i njohin në jetën reale. Aplikacioni do t’u shfaq gjithashtu edhe një paralajmërim nëse ata do të shtojnë një llogari që nuk ndan asnjë mik të përbashkët të Snapchat-it ose kontakte të telefonit.