Aktualitet Bota

Sllovenia vendos të njohë shtetin e Palestinës, pritet vetëm miratimi nga Parlamenti!

Qeveria sllovene miratoi të enjten një vendim për njohjen e një shteti të pavarur palestinez, tha kryeministri Robert Golob, duke ndjekur hapat e Spanjës, Irlandës dhe Norvegjisë.

“Sot qeveria ka vendosur të njohë Palestinën si një shtet të pavarur dhe sovran,” tha ai në një konferencë shtypi në Lubjanë.

Parlamenti i vendit anëtar të Bashkimit Evropian duhet të miratojë vendimin e qeverisë në ditët në vijim përmes Parlamentit.

Masa është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të vendeve për të koordinuar presionin ndaj Izraelit për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza. Golob gjithashtu bëri thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të armiqësive midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza dhe lirimin e të gjithë pengjeve.

“Ky është mesazhi i paqes,” tha ai.

Qeveria sllovene ngriti një flamur palestinez krahas flamujve të Sllovenisë dhe BE-së përpara ndërtesës së saj në qendër të kryeqytetit të Lubjanës.

Sllovenia e nisi procesin e njohjes së shtetit palestinez në fillim të majit, por tha se do të priste derisa të përmirësohej gjendja në luftën në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE.

Golob tha këtë javë se po e përshpejton procesin pas sulmeve të fundit të Izraelit në Rafah, si pasojë e të cilave më shumë se 1 milion palestinezë kanë ikur atje.

Më shumë se 140 shtete e njohin shtetin palestinez – më shumë se dy e treta e Kombeve të Bashkuara.

Vendimi për njohjen e shtetit palestinez ka nxitur fërkime në marrëdhëniet e BE-së me Izraelin. Spanja dhe Irlanda po bëjnë trysni që BE-ja të ndërmarrë masa kundër Izraelit, për shkak të sulmeve të tij të vazhdueshme në jug të Gazës.

Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

Lufta izraelite i ka vrarë më shumë se 36.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.

Por, lufta izraelite ka shkaktuar edhe krizë humanitare në Gazë, duke bërë që rreth 80 për qind e popullsisë të zhvendoset dhe qindra mijëra njerëz të vuajnë nga uria, sipas zyrtarëve të OKB-së.