Sllovenia iu bashkua listës së vendeve europiane që vendosin të njohin shtetësinë palestineze.
Dhoma kryesore legjislative e Sllovenisë, Asambleja Kombëtare, votoi në mbështetje të masës me 52 vota pro dhe asnjë kundër, njoftoi agjencia e lajmeve STA.
Opozita e qendrës së djathtë bojkotoi votimin. Më herët, opozita kishte paraqitur një mocion për një referendum kombëtar në lidhje me njohjen e Palestinës. Më pas ai u tërhoq, përpara se një mocion i dytë të refuzohej nga parlamenti.
“Sllovenia ishte në anën e duhur të historisë”, – theksoi ministrja e Jashtme sllovene Tanja Fajon në platformën X.
I dashur popull i Palestinës, vendimi përfundimtar i Sllovenisë është një mesazh shprese dhe paqeje. Ne besojmë se vetëm një zgjidhje me dy shtete mund të çojë në një paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Sllovenia do të vazhdojë pa u lodhur të punojë për sigurinë e të dyjave kombeve, palestinezëve dhe izraelitëve.
Më shumë se 140 nga 193 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara e njohin Palestinën si një shtet sovran. Vendet e Europës Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë prej kohësh një përjashtim.
Më 28 maj, Spanja, Irlanda dhe Norvegjia njohën zyrtarisht Palestinën, një lëvizje që u dënua ashpër nga Izraeli si pengesë për paqen në rajon.
Ndërkaq, fati i propozimit që do të ndalonte përkohësisht luftimet në Gazë do të shtonte ndihmën humanitare në Gazë dhe do të mundësonte lirimin e disa pengjeve që po mbahen nga Hamasi, mbetet i paqartë.
Grupi militant Hamas ende nuk ka dhënë një përgjigje ndaj propozimit, zyrtarët izraelitë janë kundër disa pjesëve të tij, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara po kërkojnë përkrahjen e Këshillit të Sigurimit për pranimin dhe zbatimin e marrëveshjes.
Një draft i rezolutës, të cilin e ka parë Zëri i Amerikës, i bën thirrje Hamasit të pranojë në tërësi dhe ta zbatojë propozimin për armëpushim “pa vonesa dhe pa kushte.”
Në draft thuhet se “zbatimi i shpejtë i kësaj marrëveshjeje do të mundësonte armëpushimin, tërheqjen e forcave izraelite nga pjesët e populluara të Gazës, lirimin e pengjeve, një shtim të ndihmës humanitare, administrimin e shërbimeve jetike e kthimin e civilëve palestinezë në veri të Gazës.”