Aktualitet Bota Rajoni

Sllovakia do të mbyllë Zyrën Ndërlidhëse në Kosovë!

Sllovakia, shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, do të mbyllë Zyrën e saj Ndërlidhëse në Prishtinë më 31 dhjetor të këtij viti.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) tha  se vendimi për mbylljen e kësaj zyreje është pjesë e vendimit të Sllovakisë për të mbyllur deri në fund të vitit edhe ambasadat e saj në Danimarkë dhe Norvegji, si dhe konsullatat e përgjithshme në Krakovë dhe Shën Petersburg.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikes së Kosovës, bazuar edhe në sqarimet e këtij njoftimi, vlerëson se vendimi është pjesë e një riorganizimi të brendshëm të rrjetit diplomatik të Sllovakisë. Ristrukturimet e tilla të rrjeteve diplomatike në përputhje me objektivat strategjik dhe resurset e kufizuara janë evidente edhe në shtete të tjera”, tha MPJD-ja.

Në ueb-faqen e Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Prishtinë thuhet se pavarësisht mbylljes së zyrës, “shërbimet për qytetarët sllovakë dhe raportet diplomatike do të mbahen në bazë të kornizës së operacione nga ambasadat sllovake në shtetet fqinje”

Ndërkaq, MPJD-ja tha se pavarësisht vendimit për mbylljen e Zyrës Ndërlidhëse, Kosova është e përkushtuar që të forcojë raportet me Sllovakinë, “qoftë përmes zyrës ndërlidhëse qoftë përmes takimeve në forume të tjera në nivel rajonal, evropian dhe global”.

Sllovakia, së bashku me Spanjën, Qipron, Greqinë dhe Rumaninë janë shtetet e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Bratisllava ka raporte të mira me Serbinë dhe e konsideron Beogradin partner kyç në rajonin e Ballkanit Perëndimor.