Rajoni

Skepticizëm në Prishtinë mbi progresin në dialogun me Beogradin!

Bashkimi Europian, BE ende nuk ka caktuar një datë për takimin e dy kryenegociatorëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, pavarësisht paralajmërimit të përfaqësuesit të BE-së për Dialogun, Mirosllav Lajçak se kjo do të ndodhë gjatë tetorit, pra këtë muaj. Në Bruksel shprehen se për takimin e radhës në nivel kryenegociatorësh do të njoftojnë në kohë.

Në anën tjetër, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje thotë se “progresi në dialog mund të shënohet vetëm kur të nënshkruhen Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit”. Por janë skeptikë se fryma konstruktive e Serbisë në kuadër të CEFTA-s do të reflektohet edhe në dialogun e Brukselit. Pavarësisht takimeve, progres në dialog nuk sheh as partia Lidhja Demokratike e Kosovës në opozitë.

Ndërkaq, deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli, tha për KosovaPress, se “Bashkimi Europian duhet që të jetë më i drejtpërdrejtë e t’i kërkojë Serbisë zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit e të Aneksit të Ohrit”.

Sa i përket dialogut, ne insistojmë që Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit të mund të nënshkruhen, të zbatohen prej të dyja palëve. Ne presim që BE-ja, tash institucionet e reja dhe kushdo që zëvendëson Lajçakun në të ardhmen, të jenë më të drejtpërdrejtë e të kërkojnë nga Serbia zbatimin e marrëveshjes.

Deputetja e maxhorancës vuri në dukje se “zhbllokimi i vendimmarrjes në CEFTA-s, si dhe përparimi i statusit të përfaqësimit të Kosovës në këtë mekanizëm, nën kryesimin e Serbisë, jo domosdoshmërisht mund të sjellë sukses në dialog.

Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, deklaroi se “pavarësisht se është krijuar një frymë konstruktive në CEFTA”, as ajo nuk po pret të ketë zhvillime pozitive në dialogun me Beogradin.

Gjatë kësaj jave, ndërmjetësi i dialogut, Mirosllav Lajçak u takua me kryenegociatorin kosovar, Besnik Bislimi e bëri të ditur se kanë diskutuar në lidhje me përgatitjen e takimit të radhës. Përveç kësaj, në Kosovë qëndroi edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexandër Kasanof, i cili po ashtu nënvizoi rëndësinë e zbatimit si të Marrëveshjes së Brukselit, ashtu edhe të Aneksit të Ohrit.