Rajoni

Skenar amerikan, masakër në një shkollë në Serbi/14-vjeçari vret 8 fëmijë!

Tragjedi në një shkollë në Serbi.  Tetë nxënës dhe një roje sigurie u vranë nga të shtënat me armë zjarri nga një 14-vjeçar në oborrin e shkollës së komunës Vraçar në Beograd. 6 nxënës të tjerë dhe një mësues u plagosën e po marrin trajtim mjekësor. I dyshuari si autor i masakrës u arrestua. Nuk ka detaje për motivin e sulmit, përveç faktit që i mituri përdori armën e babait, të fshehur në çantën e shpinës.

“Ishte e tmerrshme”, u shpreh E.M., 14 vjeçe, pasi u evakuua nga shkolla.

Kishim edukatë fizike dhe unë isha poshtë kur dëgjova të shtëna të vazhdueshme, nuk ishte vetëm një e shtënë.

E mitura E.M u prit nga nëna e saj jashtë shkollës. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar ministri i Arsimit i Serbisë, Branko Ruzhiç dhe ministrja e Shëndetësisë, Danica Grujiçiç. Përmes një deklarate, Ministria e Arsimit e Serbisë, theksoi:

Të gjitha informatat e rëndësishme lidhur me tragjedinë dhe rrethanat në të cilat ka ndodhur do të bëhen të ditura nga Ministria e Brendshme, ndërsa institucionet kompetente shëndetësore do të njoftojnë për gjendjen e të plagosurve.

Sindikata e Punonjësve të Arsimit në Serbi tha se “tragjedia në shkollën fillore është dëshmi se jetojmë në kushte ekstreme dhune”. Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi shprehu ngushëllime për familjet e viktimave.

Në këtë moment të vështirë, mendimet tona janë me të plagosurit, të cilëve u urojmë shërim të shpejtë!

Zhelko Komshiç, anëtar i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, i dërgoi ngushëllime presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç.

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Europës, Marija Pejçinoviq Buriç shkroi në Twitter se “është e tronditur dhe e pikëlluar nga të shtënat” në shkollën “Vlladisllav Ribnikar” në Beograd. Mediat sjellin në vëmendje faktin se të tilla ngjarje janë të shpeshta në Amerikë, por jo në vende të rajonit të Ballkanit Perëndimor.