Aktualitet Politikë

Skema e korrupsionit me 8 efektivë policie, reagon ministri Balla: AMP të bashkëpunojë me SPAK!

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar në lidhje me zbulimin e një skeme ku emigrantë të paligjshëm që e kishin të ndaluar të futeshin në BE, ndihmoheshin nga efektivë të policisë së Rinasit.

Balla ka përshëndetur punën e bërë nga policia, ndërsa i bën thirrje Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore që të bashkëpunojë me SPAK.

Po ashtu ministri shprehet se “po largojmë ditë pas dite nga trupa e shëndoshë e policisë elementët e dëmshëm, të inkriminuar apo shkelës të etikës, të cilët njollosin punën e palodhur të mijëra e mijëra uniformave blu”.

“Rritja e besimit të publikut tek Policia e Shtetit lidhet në mënyrë tëpandashme me procesin e vetëpastrimit, përmes të cilit po largojmë ditë pas dite nga trupa e shëndoshë e policisë elementët e dëmshëm, të inkriminuar apo shkelës së etikës, të cilët njollosin punën e palodhur të mijëra e mijëra uniformave blu që shërbejnë me vendosmëri të palëkundur shtetit të së drejtës dhe në mbrojtje të qytetarëve të këtij vendi.

Përgëzime Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore për rezultatet e dukshme dhe premtuese për një intensifikim edhe më të madh të këtij procesi vetëpastrimi.

E nxis AMP të forcojë bashkëpunimin institucional me SPAK, prokuroritë e jurisdiksionit të përgjithshëm, si dhe me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit dhe inteligjencës dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, për të garantuar standarde të larta të integritetit dhe pastërtisë së figurës së punonjësve të policisë”, shkruan Balla.

Një skenë korrupsioni është goditur në radhët e policisë kufitare, ku AMP ka ekzekutuar masat për 7 efektivë, ndërsa një tjetër është ende në kërkim. Për 3 nga efektivët është caktuar masa arrest në shtëpi, 4 detyrim paraqitjeje dhe 8 të tjerë janë në hetim.

Ndërsa masë sigurie arrest në burg i është komunikuar edhe ish-kreut të Transportit Ndërqytetës, Eneo Sulejmanaj, i cili ndodhet në qeli pasi u kap më 21 maj duke transportuar 1 kg kokainë. Sulejmanaj në bashkëpunim me 8 efektivët e Rinasit kalonin drejt vendeve të BE-së qytetarë kundrejt ryshfetit nga 50 deri në 500 euro.

Gjykata ka vendosur masën arrest shtëpie për 3 policët Sokol Xhika, Aris Drini, Ermal Mesi. Ndërkohë, detyrim paraqitjeje është vendosur për 4 të tjerë: Enkis Aliaj, Argil Hasa, Ylli Prenci, dhe Rei Shenjtolli. Ndaj 8 efektivëve rëndon akuza për veprën penale “shpërdorim detyre”, ndërsa Sulejmanajt i shtohet edhe një akuzë e re, “korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.