Design

Skanimi i parë digjital me përmasa të plota i Titanikut/FOTO!

Titaniku u mbyt rreth 111 vjet më parë, por detajet e kësaj tragjedie detare nuk janë sqaruar plotësisht. Anija u mbyt më 15 prill 1912, rreth 740 kilometra nga vendi më i afërt dhe anija e parë për ndihmë arriti një orë e gjysmë pas fundosjes, shumë kohë pasi viktima e fundit u mbyt në det. Temperatura e ujit ishte 2.2 gradë celsius, ku mbijetesa njerëzore është vetëm 15 minuta.

Nga fundosja e Titanikut, humbën jetën 517 njerëz, ndërsa shanset më të larta për mbijetesë patën udhëtarët e klasës së parë, pasi u shpëtuan 63% e tyre. Së fundmi skanimi i parë digjital me përmasa të plota i Titanikut, i cili shtrihet 3800 m poshtë në Atlantik, është krijuar duke dhuruar një pamje shumë pranë së vërtetës. Ai siguron një pamje unike 3D të të gjithë anijes, duke bërë të mundur që ajo të shihet sikur nuk është nën ujë.

Shpresa është se kjo do të hedhë dritë mbi atë që ndodhi saktësisht me anije, e cila u mbyt në vitin 1912. “Ka ende pyetje themelore, që duhet të marrin përgjigje në lidhje me anijen”,-tha Parks Stephenson, një analist i Titanikut, për BBC News.

Ai tha se modeli ishte një nga hapat e parë të rëndësishëm për të çuar historinë e Titanikut drejt kërkimit të bazuar në prova dhe jo spekulimeve. Skanimi u krye në verën e vitit 2022 nga Magellan Ltd, një kompani hartash në det të thellë dhe Atlantic Productions, të cilët po bëjnë një dokumentar për projektin.

Nëndetëset, të kontrolluara nga distanca nga një ekip në bordin e një anijeje të specializuar, kaluan më shumë se 200 orë duke vëzhguar. Ata morën më shumë se 700.000 imazhe nga çdo kënd, duke krijuar një rindërtim të saktë 3D. Skanimi tregon disa detaje të vogla, siç është numri i serisë në një nga helikat.