Aktualitet

Skandali te Onkologjiku, sot Rama mbledh shefat e shërbimeve në QSUT!

Pas skandalit te Onkologjikut ku bëhej “pazar” me të sëmurët e që ka shkaktuar reagime të ashpra në opinion, kryeministri Edi Rama ka thirrur në një takim të gjithë shefat e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në QSUT. Mbledhja do të zhvillohet paradite në mjediset e qendrës spitalore më të madhe në vend.

Ishte Prokuroria e Tiranës që përmes hetimeve e pas denoncimeve, zbardhi skemën abuzive, në të cilin ishin përfshirë mjekë e punonjës administrate të Onkologjikut e që në vend të jepnin shërbim për pacientë me sëmundje tumorale, bënin të kundërtën, duke i orientuar drejt klinikave private më qëllim përfitimin ekonomik. Po ashtu, janë konstatuar raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi, nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur, duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e barnave në fjalë.

Ndër të tjera, Prokuroria Tiranë thotë se në Spitalin Onkologjik në QSUT u instalua një Aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës. Aty sqarohet se që të mund të përdorej kjo aparaturë, duhej të krijohej një bunker antiradioaktiv ose antiatomik, sipas kushteve të miratuara e të prezantuara nga Agjencia Atomike e Vjenës ose Agjencia Ndërkombëtare, IAEA.

Pak ditë më parë, mjeku onkolog Edmond Gashi u la në “Arrest shtëpie”, Halil Gashi dhe farmacisti Florian Marku, po ashtu u lanë në “Arrest shtëpie”.  Mjekja Alketa Pere, zv.drejtoresha e QSUT-së, Brikena Qirjazi, si dhe koordinatori Emiljano Lela, u lanë në masën e sigurisë “Detyrim për paraqitje”.  Për asnjë prej tyre nuk u vendos qëndrimi në burg nga togat e zeza dhe zëmërimin më shumë e kishin me gazetarët, madje dhe për gjëra me rëndësi si dalja në foto, shqetësim që mundonte Peren.

Por, ndërsa secili prej mjekëve pretendon pafajësi, sa vijnë e shtohen dëshmitë që thellojnë më tej skandalin e Onkologjikut.