Aktualitet

Skandali te Onkologjiku, masat e sigurisë/Mjekja Pere e shqetësuar për fotot!

Kuvendi në seancë plenare, në rend dite dhe një interpelancë me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, kërkuar nga deputeti demokrat Tritan Shehu, para se të shpërthente skandali te Onkologjiku, por diskutimet pritet ta kenë në fokus. Mjekët dhe personat e tjerë të përfshirë në dosjen e hetuar nga Prokuroria Tiranë, dolën para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.

Mes tyre është dhe Alketa Pere, e cila foli për gazetarët e pretendoi se është e pafajshme duke theksuar se asnjëherë nuk i ka orientuar në privat, pacientët me tumor. Sipas saj, duhen hetuar spitalet private dhe kërkoi ndryshim rrënjësor te Onkologjiku në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Nuk kam asnjë koment. Kurrë në jetën time nuk e kam bërë këtë gjë, që pacienti me kancer të shkojë në privat. Duhet të trajtohet në Onkologjik, duhet të hetohen spitalet private për aktivitetin që kryhet. Duhet ndryshim rrënjësor në Onkologjik. Sot kam ardhur të mbroj veten time, jam e pafajshme.

Por, jo vetëm kaq, Pere kishte dhe një shqetësim estetik në kulmin e alarmit për përgjimet me “pazarin me sëmundjen” në vendin ku punon e ku i del emri në dosje.

Në asnjë klinikë private, nuk punoj.

– A i keni orientuar klientët në klinikë private?

Unë kam 10 vite….Prit moj një minutë, prit, një nga një. Një minutë… Më keni mërzitur ju gazetarët, më keni shtrembëruar gjitha.

-Vetëm foto ju interesojnë zonjë..

Po më interesojnë edhe ato fotot me sy kështu, me sy ashtu.

– Duhet të dilni bukur në kamera?

Duhet të ruhet Etika, për atë punë keni mbaruar. Në Shqipëri, nuk ka etikë.

-E ruani ju Etikën zonjë?

E ruaj deri në fund Etikën, sidomos me pacientë neoplazik, se kam vetë pacient me kancer në familje.

– Çfarë duhet të ndryshojë në Onkologjik?

Duhet të ndryshojnë struktura, pajisjet. Jam shumë e lumtur me prokurorin që e ka quajtur “Rrugëtimi”. Duhet që çdo njeri në qelizë ta dijë rrugëtimin e pacientit neoplazik deri në fund. Në spitalin tonë s’ka shkelje. Mund të jetë dikush që mund t’i orientojë në spitale private. Por, duhet të sqarohen mirë gjërat se kush i ka drejtuar pacientët në privat. Unë përfaqësoj veten time.

Në vitin 2022, Kontrolli i Lartë i Shtetit, KLSH, bëri një audit rreth situatës te Onkologjiku ku zbuloi një numër të madh shkeljesh e kryesisht për rastin e aparaturës së Kobaltit duke mos kallëzuar në Prokurori sipas ligjit.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se “organi i akuzës u vendos në dijeni të raportit përmes një emisioni investigativ në dhjetor të 2023-shit” dhe prej asaj kohe i kishte kërkuar raportin KLSH-së, por që nuk u dorëzua.

Prokuroria thotë se u detyrua ta sekuestrojë raportin në cilësinë e provës materiale. Në të konstatohen problematikat e evidentuara. Burime pranë organit të akuzës thonë se do të merren në pyetje inspektorët rreth motiveve se pse nuk e kallëzuan shkeljen e rëndë.

Ndërkohë, hetimet lidhur me këtë çështje, pavarësisht se kishte më herët dhe referime të tjera, filluan kryesisht nga Prokuroria. Pas finalizimit të operacionit të koduar “Rrugëtimi” në fushën e ilaçeve kontrabandë ku u konstatuan disa barna spitalore, si dhe administrimit të disa informacioneve në rrugë operative, nisi hetimi “kryesisht”, mbi një skemë të dyshuar abuzimi e që zgjati disa muaj. U përdorën metoda speciale hetimi si proaktive, ashtu dhe veprime të hapura.

Lidhur me operacionin “Rrugëtimi”, kujtojmë se vitin e kaluar u vunë nën akuzë 18 shtetas. Nga verifikimet e kryera, rezultoi se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata tregtonin medikamente të ndryshme të kontrabanduara nga Greqia, Italia dhe Kosova. Më pas i shisnin në farmaci në Tiranë, Elbasan, Fier, dhe Vlorë, me çmime shumë të larta.

Në Gjykatën e Tiranës, po zhvillohet seanca lidhur me vlerësimin e kushteve të masave të sigurisë për 7 persona, shumica mjekë, drejtues e staf i Onkologjikut.