Aktualitet Politikë

Skandali me pagat e targat, Taulant Balla: “Përpjekje për destabilitet!”

Në një bashkëbisedim me gazetarë mbi çështje të ndryshme, kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla foli edhe për rrjedhjen e të dhënave personale të qytetarëve lidhur me pagat e targat e makinave. Balla e quajti “përpjekje për destabilizim”, si dhe kërkoi hetime e ndëshkime, që këto situata, të mos përsëriten.

Në gjithë këto vite kam nxjerrë konkluzionin që kur Prokuroria hyn në hetim, asnjë prej nesh nuk duhet të bëjë komente për personat e përfshirë në këtë ngjarje të rëndë kriminale, një përpjekje për destabilizim dhe situatën e krijuar në kompanitë private. Mendoj që duhet të kuptojmë që shoqëria digjitale është vulnerabël sa i takon rrjedhjes së të dhënave.

Shtete më të forta dhe më të mëdha, SHBA-të kanë rënë pre e sulmeve kibernetike. Ky është një sulm kibernetik dhe rrjedhje të dhënash. Mendoj që ndëshkimi më i madh duhet të bëhet në këtë rast, që të parandalohen në të ardhmen. Institucionet e drejtësisë, mendoj që kanë nevojë të hetojnë fshehjen e deklarimeve dhe deklarimet e rreme, i bën mirë një hetim i plotë gjithë këtij krimi, i cili ka dëmtuar marrëdhënien mes punëmarrësit e punëdhënësit.

Taulant Balla bëri të ditur sot se Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi do të vijojë punën në sesionin e ardhshëm të kësaj legjislature dhe se Reforma Zgjedhore do të jetë gati shumë më para zgjedhjeve vendore të vitit 2023. Ndër të tjera, ai foli edhe për zgjatjen e afateve të Vetting-ut, zgjedhjen e Presidentit apo vendimin e SHBA-ve për shpalljen “non grata” të Sali Berishës. Sa i përket akuzave për një darkë me kreun demokrat Lulzim Basha, numri një i grupit socialist akuzon Berishën për shpifje.

Ajo që është thënë nga Berisha është një rishfaqje e 30 viteve të tij, i cili me gënjeshtra, shpifje e mashtrime ka lënë trashëgiminë e vet politike. E pakuptueshme që një person “non grata” nga SHBA-të vazhdon të marrë vëmendje, edhe publike në këtë vend. Unë mendoj se SHBA-të, shpalljen “non grata” të Sali Berishës jo vetëm e kanë bërë mbi bazë faktesh, por e kanë bërë si një nevojë për të çliruar në radhë të parë PD-në, por më shumë se kaq, Shqipërinë.

Më tej, riktheu në vëmendje dosjen e 21 janarit.

Berisha ka hesape me shqiptarët. Këto çështje duhen hetuar, bëhen 11 vite nga 21 janari. Pati një reagim nga Basha ku qartësoi një përgjegjësi të Berishës kur tha se s’bëri atë që bëri Berisha më 21 janar. Çfarë bëri Berisha më 21 janar? Çështja është në Prokurorinë e Tiranës. Mendoj se ai ka prishur provat e 21 janarit. Drejtësia e re duhet të marrë në pyetje Bashën dhe Berishën se farë roli luajtën më 21 janar.