Pas skandalit të mashtrimit me mikrokreditë, Ministria e Drejtësisë ka gati draftin për ndryshimet ligjore për shërbimin përmbarimor privat.
Ministri Ulsi Manja në një prononcim për gazetarët tha se këto ndryshime pritet të hidhen për konsultim publik dhe se synohet që forcohen mekanizmat e kontrollit dhe monitorimit të Ministrisë së Drejtësisë mbi këtë shërbim.
“Në aspektin e trajtimit institucional dhe ligjor e konsideroj të tejkaluar këtë proces. Ka një grup pune që funksionon dhe mblidhet pothuajse çdo javë me bankën e Shqipërisë, ekspertë të ministrisë dhe zyrës së kryeministrit. Është përcaktuar një plan veprimi i qartë se si t’i shmangemi këtij fenomeni, nuk janë përmasat e atij fenomeni që është thënë në media. Kemi bërë gati ndryshimet ligjore për shërbimin përmbarimor privat. Ja kemi dërguar Dhomës Kombëtare të Përmbarimit Privat, nuk e kemi hedhur ende për konsultim publik. Sa na takon ne si Ministri e Drejtësisë, mendojmë një paketë ndryshimesh në atë ligj, për të forcuar mekanizmat e kontrollit dhe monitorimit të Ministrisë së Drejtësisë mbi këtë shërbim publik”, tha Manja.
Po ashtu, ministri bëri me dije se të gjitha llogaritë bankare që kanë qenë të bllokuar për shkak të këtij procesi, tashmë janë liruar.
“Të gjitha llogaritë bankare të bllokuara në këtë proces, janë zhbllokuar tashmë në një bashkëpunim që kemi pasur me Prokurorinë e Tiranës. Nuk ka asnjë llogari bankare të bllokuar. Pasuritë kanë një procedurë tjetër”, u shpreh Manja.
Bëhet fjalë për llogaritë e klientëve të “Micro Credit Albania” (MCA) dhe “Final”, dy kompanitë e përfshirë në skemën e mashtrimit me mikrokreditë.