Aktualitet

Skandali i pagave, lirohen të arrestuarit!

Gjykata e Tiranës dha masat e sigurisë për katër të arrestuarit lidhur me skandalin e publikimit të pagave të mijëra qytetarëve shqiptarë. Në seancën e zhvilluar të shtunën, u vendos “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore si dhe pezullim të ushtrimit të detyrës” për specialisten e IT-së, Eni Qirjako, e akuzuar se me e-mail i dërgoi listën e pagave, kolegut Andi Agaraj. Për këtë të fundit, si dhe për dy përmbaruesit privatë të dyshuar se blenë të dhënat, Klodian Sota dhe Endri Ikonomi, gjykata dha masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Qirjako dhe Agaraj akuzohen për veprën penale “Shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim, Sota për “Korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike” e Ikonomi për “Korrupsion pasiv në sektorin privat”.

Sipas hetimeve të Prokurorisë Tiranë, ishte specialistja e IT te Tatimet, Eni Qirjako, e cila mori të dhënat për pagat nga sistemi dhe ia kaloi kolegut Andi Agaraj, i cili i shiti për një vlerë nga 20-30 mijë lekë për çdo databazë, te dy përmbaruesit privatë, të cilët më pas i shpërndanë në rrjetet sociale.

VENDIMI I GJYKATËS

Vleftësimin si të ligjshëm ndalimit të personit nën hetim Eni Qirjako.
-Caktimin si masë sigurimi personale shtrënguese ndaj personit nën hetim Eni Qirjako, atë të “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore të hënën e parë të çdo muaji ora 10.00” të parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale.
-Pranimin e kërkesës për caktimin si masë sigurimi ndaluese ndaj personit nën hetim E. Q., atë të “Pezullimi i ushtrimit të detyrës” të parashikuar nga neni 240/a/1 i K.Pr.Penale.
Vleftësimin si të ligjshëm të ndalimit të personit nën hetim Andi Agaraj. Caktimin si masë sigurimi personale shtrënguese ndaj personit nën hetim Andi Agaraj, atë të “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale.
Vleftësimin si të ligjshëm të ndalimit të personit nën hetim Klodian Sota. Caktimin si masë sigurimi personale shtrënguese ndaj personit nën hetim Klodian Sota, atë të “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale.
Vleftësimin si të ligjshëm të ndalimit të personit nën hetim Endri Ikonomi.
-Caktimin si masë sigurimi personale shtrënguese ndaj personit nën hetim Endri Ikonomi, atë të “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale.