Drejtuesja e Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Lili Sula reagoi sot lidhur me hetimin ndaj kolegjit universitar “Wisdom”.
8000 diploma false të lëshuara nga kolegji universitar “Wisdom” në Tiranë për shtetasit italianë tërhoqën vëmendjen e medias dhe të drejtësisë italiane. Diplomimi i shtetasve italianë në Shqipëri shpreh agoninë e thellë që ka kapur majën institucionale të arsimit në vendin tonë, trafik diplomash edhe kur italianët nuk gjendeshin këtu e nuk merrnin pjesë në testime.
Sipas të dhënave, rezulton se mijëra italianë kanë dhënë e marrë provimet e fakultetit e janë pajisur me diploma të studimeve të larta universitare e tituj akademikë pa kaluar ndonjëherë përmes dyerve të universitetit.
Sula kërkoi nga Ministria e Arsimit dhe Sportit që të bëjë publike raportet e inspektimit që ka zhvilluar në këto 10 vite në këtë institucion. Ministria reagoi pas zbulimit të skandalit me shitjen e diplomave dhe certifikatave false nga Tirana për shtetas italianë, përmes kolegjit universitar “Wisdom”. Ky dikaster tha se për periudhën 2023-2024, ka nisur verifikimin e pajtueshmërisë me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi të Kolegjit Universitar WISDOM.
Pas verifikimeve të kryera përgjatë periudhës së kontrollit në këtë institucion, në përfundim të tij, grupi i punës, në korrik të këtij viti, përfundoi raportin final të kontrollit, duke konstatuar shkelje ligjore gjatë ushtrimit të veprimtarisë akademike, administrative dhe financiare të Kolegjit Universitar “WISDOM” për periudhën e ushtrimit të kontrollit.
Bazuar në rekomandimet e grupit të kontrollit, MAS thotë:
Po ndiqet procedura ligjore në lidhje me mbylljen e veprimtarisë akademike të institucionit jopublik të arsimit të lartë Kolegji Universitar WISDOM.
Ministria e Arsimit dhe Sportit, për vitin e ri akademik 2024-2025, njoftoi se “nuk ka certifikuar kuota pranimi për Kolegjin Universitar WISDOM”.