Bota

Situatë katastrofike në Amerikën e Jugut, shirat e rrëmbyeshëm vrasin dhjetëra persona! Bolivia në alarm!

Qindra qytete dhe fshatra në Bolivi janë vënë në alarm, pasi shirat e rrëmbyeshëm vazhdojnë të bëjnë kërdinë në vendin e Amerikës së Jugut.

Zyrtarët njoftuan se 33 persona kanë humbur jetën që nga nëntori, për shkak të reshjeve, të cilat kanë shkaktuar rrëshqitje dheu dhe kanë bërë që lumenjtë të dalin nga shtrati.

Numri i viktimave është tetë herë më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të plagosur janë regjistruar edhe 20 persona, gjendja e të cilëve nuk dihet ende.

Autoritetet po monitorojnë me kujdes një numër digash për të cilat kanë frikë se mund të vërshojnë.

Zëvendësministri për Mbrojtjen Civile, Juan Carlos Calvimontes, tha se nga 340 komunat e Bolivisë, 10 ishin vënë në alarmin më të lartë dhe 279 të tjera ishin në alarm portokalli, e dyta më e larta.

Ndër të tjera, sipas BBC, janë dërguar ndihma humanitare në zonat më të prekura.

Shirat e dendur kanë goditur Bolivinë pas një thatësire të zgjatur dhe një prej dimrave më të nxehtë që ka përjetuar vendi.

Në tetor, qindra njerëz ishin mbledhur në rezervuarin Incachaca, i cili tani është afër tejmbushjes, për t’u lutur për shi.

Ngjarjet ekstreme të motit nuk janë të rralla në Bolivi, por një atmosferë ngrohëse e shkaktuar nga ndryshimet klimatike ka bërë që reshjet ekstreme të shiut të jenë më të mundshme.

Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.1C që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në mbarë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha të emetimeve.