Pas tensioneve të forta në veri të Kosovës që të premten kulmuan me përpjekjen e kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviçit e Zubin Potokut për të hyrë forcërisht në zyrat e komunave respektive, edhe sot situata paraqitet e qetë. Veton Elshani nga Policia e Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë se gjendja në veri është e qëndrueshme dhe se zyrtarët policorë po vazhdojnë të qëndrojnë pranë godinave të komunave të Zveçanit, Leposaviçit e Zubin Potokut. Ai shtoi se nuk pati asnjë incident gjatë natës.
Në të tre këto komuna, dy ditë më parë grupe serbësh u përleshën me Policinë e Kosovës, që ndihmoi kryetarët e rinj shqiptarë të hynin në zyrat e tyre. Më herët, ndërtesat e tyre janë përdorur nga strukturat paralele serbe. Policia përdori bomba e gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, ndërsa serbët hodhën gurë në drejtim të policëve. Në Zveçan pati edhe të shtëna me armë zjarri. Disa makina policore u dogjën dhe pesë policë u lënduan gjatë përleshjeve.
Prishtina zyrtare ka mbrojtur vendimin që kryetarët e rinj të veriut të hyjnë në zyrat e tyre. Por, faktori ndërkombëtar e përshkroi veprimin si “hyrje me forcë”, duke dënuar veprimet e Prishtinës.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkuan Qeverisë së Kosovës të përmbahet nga “veprimet e tjera që mund të rrisin tensionet dhe të promovojnë dhunë”. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, paralajmëroi se këto veprime do të rezultojnë me pasoja në marrëdhëniet SHBA-Kosovë. Veprimet e Kosovës u dënuan dhe nga Bashkimi Europian, ndërsa NATO kërkoi që palët të zgjidhin mosmarrëveshjet përmes dialogut.
Serbia ngriti në nivelin më të lartë, gatishmërinë luftarake të forcave të saj, pas trazirave në veri. Ndërkaq, Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë kërkoi nga Beogradi që të ndërpresë dialogun me Prishtinën, që ndërmjetësohet nga Brukseli.
Në katër komunat në veri të Kosovës, në zgjedhjet lokale të 23 prillit u zgjodhën katër kryetarë të rinj shqiptarë, pasi në këto votime të jashtëzakonshme nuk morën pjesë partitë serbe. Zgjedhjet u zhvilluan pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, nëntorin e kaluar.
Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe. Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj. Pjesëmarrja në zgjedhjet e prillit ishte 3.47% e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar.