Lifestyle

Situatë alarmante, çdo dhjetë minuta zhduket një lloj kafshe ose bime!

Përditë para syve tanë ndodhin vrasje masive por ne nuk i vërejmë ato sepse zhvillohen pa bërë zë. Zhdukja e llojeve nuk dërgon peticione online, nuk organizon demostrata dhe shpesh ne nuk i njohim fare llojet. “Nga rreth tetë milionë lloje kafshësh, bimësh dhe kërpudhash që ndodhen në tokë, shkencërisht janë përshkruar vetëm një pjesë e vogël”- thotë Këshilli ndërkombëtar për biodiversitetin IBPES.

Por situata është dramatike. Në vitin 2030 sipas shkencës bota mund të përfundojë me një milionë lloje më pak, sepse çdo dhjetë minuta zhduket një lloj kafshe ose bime. Kjo është fatale, sepse një botë e varfëruar është një botë e rrezikshme, edhe për ne njerëzit.

Rreth 200 shtete duan që në konferencën e 15-të të OKB që do të mbahet në Kanada, të vendosin një marrëveshje të re kornizë për mbrojtjen e diversitetit. Këtë javë në Nairobi të Kenias janë duke u bërë përgatitjet për tekstin përfundimtar të marrëveshjes. A do arrijë komuniteti ndërkombëtar të ndalojë krizën e llojeve? Pse është kjo kaq e rëndësishme dhe çfarë e ka penguar deri tani mbrojtjen efikase?

Çfarë do të thotë biodiversitet dhe humbje e tij? Në një raport aktual të rrjetit studimor për diversitetin thuhet se:

Ajri që thithim, uji që pijmë, ushqimi dhe veshja, lëndët djegëse, lëndët e ndërtimit ose medikamentet, tek kjo shumëllojshmëri burimesh që natyra na ka vënë në dispozicion bazohet jeta jonë, shëndeti ynë, ushqimi ynë, mirëqënia jonë. Më shumë se dy të tretat e frutshmërisë së botës, mes të cilave shumë perime dhe fruta, kafe dhe kakao, varen nga pjalmimi natyror që bëhet prej insekteve. Nëse ato mungojnë, atëherë oferta ushqimore për njeriun do të binte shumë. Që sot, një e treta e gjithë llojeve të insekteve rrezikohen nga zhdukja. Edhe për mjekësinë do të ishte katastrofale humbja e madhe e shumëllojshmërisë biologjike, sepse medikamentet vijnë nga natyra, përshembull ato përbëjnë 70% të medikamenteve që përdoren vetëm për trajtimin e kancerit.

Klement Tockner, profesor i shkencave ekologjike dhe drejtor i përgjithshëm i Shoqatës Senckenberg shpjegon se:

Në shumëllojshmërinë biologjike njohuritë e 3,5 miliardë vjetëve janë ruajtur natyrisht tek evolucioni. Humbja e mëtejshme e kapitalit tonë natyror paraqet rrezik të madh për gjithë njerëzimin, sepse kur humbet një herë ka humbur për gjithnjë.

Cila është arsyeja e zhdukjes së llojeve në gjithë botën? Ne i marrim botës çdo vit shumë më tepër se sa është ajo në gjendje të riprodhojë. Nëpërmjet bujqësisë, zënies së sipërfaqeve për infrastrukturën, çpyllëzimit, peshkimit pa masë, lëshimit në natyrë të lëndëve helmuese si dhe nëpërmjet përhapjes nga njeriu të specieve pushtuese, niveli i zhdukjes së llojeve është sot 1000 herë më i madh se sa do të ishte pa ndikimin e njeriut.