Aktualitet

Situata në Rinas drejt normalizimit, sot fluturime emergjente, nesër udhëtarët

Gradualisht po i rikthehet normalitetit situata në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit. Në një dalje të pak çasteve më parë nga ky aeroport, Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku njoftoi se sot rinisin fluturimet esenciale. Këtu përfshihen ato humanitare, shëndetësore, diplomatike e ushtarake.

Gjithashtu, Balluku informoi për sasinë e vaksinave anti-COVID që duhej të mbërrinin dje, nëse kontrollorët e trafikut ajror nuk ndërprisnin punën për të kundërshtuar përgjysmimin e pagave. Veprimet e tyre çuan në anulime të fluturimeve.  

Kemi arritur të ruajmë sasinë e vaksinave të konsiderueshme. Do të vijë sot rreth orës 3 pasdite dhe do të fillojë shpërndarja. Dua të informoj të gjithë qytetarët që do të jetë e pamundur në këto momente të kemi fluturime komerciale por është duke u punuar për zgjidhjen e këtij problemi. Nesër në orët e para të mëngjesit do të kemi situatë normale të fluturimeve.

Më herët, Ministrja Balluku u ngarkua nga Komiteti i Mbrojtjes Civile të marrë masa për rikthimin e fluturimeve në Rinas.

Në një tjetër zhvillim, po në lidhje me atë që ka ndodhur në Rinas, u njoftua se Armando Fezga, kryetar i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Flora Ndreca dhe Muhir Mezini janë ndaluar me urdhër të Prokurorisë, që i akuzon për “Shpërdorim detyre, të kryer në bashkëpunim”. Pritet që brenda 48 orëve të dalin para Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë që do të kërkohet nga Prokuroria.