Vazhdon problemi me zjarret në qarkun e Shkodrës. Në Malin Kolaj, si dhe në fshatin Rrjoll ka vatra aktive. Sipas vlerësimeve paraprake nga ADZM-ja, sipërfaqja e përfshirë është rreth 30 ha. Në shuarjen e flakëve në këtë zonë marrin pjesë 12 punonjës të ADZM-së, 6 efektivë zjarrfikës me 2 automjete zjarrfikëse, 23 ushtarë dhe 8 pjesëtarë nga komuniteti.
Momentalisht, vatrat e zjarrit po monitorohen nga specialistë të ADZM-së. Kërkohet mbështetje me 30 efektivë të Forcave të Armatosura.
Në Bashkinë Vau i Dejës, vatra e zjarrit në Malin e Jushit është vënë nën kontroll. Gjatë ditës së sotme kanë punuar strukturat e mëposhtme:
-Vau i Dejës, 3 mjete dhe 10 efektivë
-Puka, 1 mjet dhe 4 efektivë zjarrfikës.
-Malësia e Madhe 1 mjet dhe 3 efektivë zjarrfikës
Total 5 mjete dhe 17 efektivë zjarrfikës.
Në Bashkinë Malësi e Madhe ka një vater zjarrit aktive në Çodgore, Koplik i Sipërm. Kjo vatër zjarri shtrihet në terren fushor dhe malor, në terrenin fushor është fikur. Pjesa e vatrës aktive në terrenin malor po monitorohet nga efektiv te MZSH dhe specialiste të shërbimit pyjor.
Në Vlorë, vijon prej tre ditësh zjarri në fushën e mbetjeve ndërsa tymi në formë reje po përhapet në qytetin bregdetar. Në terren punohet për lokalizimin dhe shuarjen e flakëve. Në ndihmë të mjeteve të bashkisë kanë shkuar dhe forcat e ushtrisë. Kryebashkiaku Ermal Dredha tha se zjarri është vendosur nga dora e njeriut e se nisën hetimet për të gjetur autorin apo autorët.
Vendgrumbullimi i mbetjeve urbane në Vlorë nuk plotëson asnjë standard. Flakët kanë përshkuar pothuajse të gjithë fushën, në një zonë të banuar, në lagjen 24 Maji, e njohur si ish-Fusha e Aviacionit. Era favorizon përhapjen e tyre dhe tymi i shkaktuar përshkruhet si mbytës.
Pasi dy ditë më parë, Policia e Shtetit arrestoi në flagrancë autorët e zjarrvënieve në Kavajë dhe në Rrogozhinë, ministri i Brendshëm, Taulant Balla rikujtoi në një reagim se zjarrvënia e qëllimshme është një krim i rëndë dhe dënohet deri në 15 vite burgim. Po ashtu, ministri Balla i bëri një apel të gjithë qytetarëve, që të sinjalizojnë Policinë e Shtetit dhe Shërbimin Zjarrfikës, për të identifikuar autorët dhe për të ndihmuar në eliminimin e rrezikut që në momentet e para.