Teksa po fliste për karrierën e tij, aktori i njohur Tom Cruise tha se nuk bën pushim sepse vazhdimisht jeton ëndrrën e tij. Cruise u shpreh në një intervistë për revistën ‘Bella’ se:
Kjo është një ditë pushimi për mua, sepse nuk jam duke xhiruar. Nuk kam ditë pushimi. Unë jam me fat. Kam kaluar jetën time në një sheshxhirimi dhe duke udhëtuar nëpër botë, gjëja që kam dashur gjithmonë të bëj. Kështu që kjo nuk është punë, unë jam duke jetuar ëndrrën time.
Ndërkohë në një intervistë tjetër në fillim të javës së kaluar, Cruise zbuloi se ai gjithmonë kishte ëndërruar të ishte ose pilot, ose aktor. Aktualisht, Cruise po promovon filmin e fundit “Top Gun: Maverick “, një vazhdim i filmit aksion të Tony Scott të vitit 1986. Aktorit të njohur iu deshën plot 36 vjet për t’u kthyer përsëri në ‘zonën e rrezikut’ dhe kritikët e filmit thanë se ia ka vlejtur pritja e madhe për të parë “Top Gun” përsëri në ekranin e madh të kinemave.
Vazhdimi i filmit të suksesshëm të vitit 1986, i quajtur “Top Gun: Maverick”, fitoi një vlerësim pozitiv 96% nga komentet e mbledhura në faqen e internetit Rotten Tomatoes. Vlen të theksohet se filmi do të debutojë në kinema më 27 maj. Ndërkaq, avioni luftarak hipersonik, që shfaqet në filmin “Top Gun: Maverick”, me protagonist Tom Cruise, mund të mos jetë vetëm një vepër imagjinare, por një avion i vërtet ushtarak që së shpejti do të bëhet pjesë e flotës amerikane.
James Taiclet, CEO i kompanisë ‘Lockheed Marin’, që prodhon pjesën më të madhe të armatimeve dhe mjeteve luftarake të Shteteve të Bashkuara, konfirmoi se dega “Skunk Works” ka bashkëpunuar me prodhuesit e filmit hollivudian për të krijuar dizajnin e avionit hipersonik Darkstar.