Magazine

“Sipas thirrjes, i përkas botës…”, sot kujtojmë 114-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës!

Sot, më 26 gusht, kujtojmë 114-vjetorin e lindjes së Shenjtës Nënë Tereza, e njohur si Ganxhe Bojaxhiu. Ajo është një ikonë shqiptare e dashurisë dhe humanizmit, një shërbëtore e përkushtuar e të varfërve dhe nevojtarëve, e cila e shndërroi botën e mjerimit përmes shërbimit të saj të pakursyer dhe dashurisë së pashtershme.

Nënë Tereza, e lindur më 26 gusht 1910 në Shkup, një qytet që në atë kohë ndodhej nën pushtimin osman dhe që ka qenë një pikë kyçe e historisë së Ballkanit, kaloi jetën e saj duke ofruar ndihmë dhe ngushëllim për ata që kishin më shumë nevojë. Ajo vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkutë të Indisë, ku kishte krijuar dhe udhëhequr Organizatën e Motrave Misionare të Bamirësisë.

Në këtë përvjetor të rëndësishëm, festimet janë zhvilluar në Shtëpinë e Nënës në Kalkutë, ku Motrat Misionare të Bamirësisë kanë organizuar ngjarje për të nderuar kujtimin e saj. Kryeministrja e Bengalit Perëndimor, Mamata Banerjee, bëri homazhe për Nënën e Dashurisë në këtë përvjetor.

Nënë Tereza u shpall e ‘Lumë’ nga Papa Shën Gjon Pali II më 19 tetor 2003 dhe u shpall ‘Shenjtë’ nga Papa Françesku më 4 shtator 2016. Ajo e përmbledhi jetën dhe misionin e saj me këto fjalë të ndjera:

Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit.

Këto fjalë pasqyrojnë përkushtimin e saj të thellë ndaj misionit të saj dhe përkushtimin ndaj besimit dhe njerëzimit.