Lifestyle

“Sindroma e shpëtimtarit”: Një nevojë për të ndihmuar që mund të shndërrohet në obsesion!

Disa njerëz ndihen të përmbushur kur ndihmojnë të tjerët, një ndjenjë që njihet si altruizëm. Por çfarë ndodh kur ky altruizëm shndërrohet në një nevojë obsesive për të shpëtuar të tjerët? Kjo është ajo që quhet sindroma e shpëtimtarit.

Sindroma e shpëtimtarit, e njohur gjithashtu si ‘sindroma e kalorësit të bardhë’, është një fenomen psikologjik që përfshin nevojën e individëve për të zgjidhur problemet e të tjerëve. Shpëtimtarët ndihen mirë vetëm kur ndihmojnë dikë dhe besojnë se ky është qëllimi i tyre në jetë. Kjo sjellje mund të bëhet një obsesion, ku individët vënë në rrezik energjitë e tyre për t’i shërbyer të tjerëve, shpesh duke injoruar nevojat e tyre.

Shpëtimtarët shpesh tërhiqen nga vulnerabiliteti dhe ankthi, veçanërisht nëse vetë kanë përjetuar dhimbje. Ata mund të ndihen të detyruar të imponojnë zgjidhje për situata që ata mendojnë se duhen adresuar, madje edhe kur problemi kërkon kohë dhe reflektim për t’u zgjidhur.

Sindroma shpesh është e lidhur me individë që ndihen të paaftë për të menaxhuar problemet e tyre ose që kanë përjetuar trauma të pazgjidhura. Sipas psikologut Maury Joseph, shpëtimtarët ndihen të obliguar të shpëtojnë të tjerët, pavarësisht se nuk janë në gjendje të zgjidhin problemet e veta.

Kjo sjellje mund të ketë pasoja serioze. Shpëtimtarët, pavarësisht nëse ndihen të frustruar apo të kënaqur me veprimet e tyre, mund të përjetojnë lodhje emocionale dhe ndjenja boshllëku. Kjo situatë mund të ndikojë negativisht në shëndetin e tyre mendor dhe emocional.

Nëse e ndjeni se keni sindromën e shpëtimtarit, psikoanaliza mund të jetë një hap i dobishëm për t’u marrë me këtë problem. Reflektimi mbi nevojat tuaja personale dhe mësimi për të vendosur kufij të shëndetshëm në marrëdhëniet tuaja mund të ndihmojë në menaxhimin e kësaj sindrome. Të kuptuarit se ndihma ndaj të tjerëve është e rëndësishme, por jo në kurriz të vetvetes, është çelësi për një balancë të shëndetshme emocionale.