Për revistën e njohur amerikane Time, Simone Biles është “Atletja e vitit”. Motivacioni i vlerësimit:
Me sytë e botës të kthyer drejt saj, ndërmori hapin e jashtëzakonshëm për të thënë: mjaft!
Gjithçka lidhet me Lojërat Olimpike të Tokios kur gjimnastja amerikane pësoi krizë besimi dhe u tërhoq nga disa prej garave. 24-vjeçarja foli për “demonët e brendshëm”, referuar shqetësimeve të ankthit e bllokimeve të papritura të mendjes që e bënin të humbiste orientimin gjatë ushtrimeve. Biles nuk e fshehu synimin për t’u përqëndruar te shëndeti mendor dhe mirëqenia e saj.
Biles shkoi në Tokio, por konkurroi vetëm në finalen e traut të ekuilibrit, garën e fundit në gjimnastikën për femra në Olimpiadë ndërsa në Lojërat e Rios 2016, fitoi katër medalje ari.
Këtë vit tha se u ndje e çorientuar gjatë sekuencave të rrotullimeve në ajër që janë sfiduese ndaj gravitetit. Për të ishte e tmerrshme të përpiqeshe të bëje lëvizje, pa patur trupin dhe mendjen të sinkronizuar.
Për vite me radhë, Simone Biles ishte një nga më të mirat. Papritmas, ajo tha se nuk ndihej mirë në aspektin mendor. Duke ulur fanellën e saj të bardhë në mes të garës së gjimnastikës, korrikun e kaluar, Biles i dha një dimension të ri diskutimit të shëndetit mendor që po zhvillohet në sport nga viti 2020.
Gjithashtu, iu bashkua emrave të tjerë të mirënjohur në hapësirën olimpike, të cilët kanë folur hapur për një temë që ishte tabu për një kohë të gjatë në sport. Për dekada me radhë, atyre iu është thënë të lënë mënjanë emocionet dhe të bëhen të fortë, të lënë mënjanë mëdyshjet e të përqendrohen te detyra kryesore: fitorja. Të dominojnë dhe të dalin në krye.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka marrë një qëndrim aktiv për të siguruar burime për atletët dhe e ka zhvendosur tonin nga performanca sportive e rezultatet, te shëndeti mendor e fuqizimi i zërave të vetë atletëve.