Bota Tech

“Silicon Valley” forcon masat për të shmangur spiunët kinezë!

Kompanitë kryesore amerikane të teknologjisë kanë rritur kontrollin mbi të shkuarën e punonjësve dhe atyre që aplikojnë për punë, gjë që ekspertët thonë se është e nevojshme për t’iu kundërvënë kërcënimit nga Kina në fushën e spiunazhit kibernetik. Ndërsa kontrollet mbi të kaluarën po shtohen për aplikantët dhe punonjësit, ata me lidhje familjare me Kinën mendohet se janë kryesisht subjekt i presionit që ushtrohet nga qeveria e Pekinit.

Zheng, student kinez, i diplomuar në shkenca kompjuterike në një universitet amerikan shpreson t’i shndërrojë lidhjet e tij me Kinën, në mundësi për përfitim. Ai nuk pranoi të zbulojë emrin e plotë, nga frika e hakmarrjes së mundshme nga Pekini zyrtar. Por, shtoi se kohët e fundit është përqendruar tek siguria kibernetike, me shpresën për të rritur shanset e punësimit në Shtetet e Bashkuara.

Objektivi është disi ambicioz, por mendoj se di më shumë për Kinën si një person i lindur dhe i rritur atje. Shpresoj që karakteristikat e mia të shndërrohen në një pikë të fortë në fushën e sigurisë kibernetike e të luajnë një rol në luftën kundër sulmeve kibernetike kineze.

Ai shton se shumë studentë ndërkombëtarë me të cilët ka studiuar, shqetësohen se nuk do të arrijnë të sigurojnë një punë, në fushën e sigurisë kibernetike.

Google, OpenAI dhe Sequoia Capital janë mes atyre kompanive të teknologjisë që ofrojnë kapital investues, që kanë shtuar kontrollet e sigurisë për punonjësit apo ata potencialë, sipas një raporti të fundit të gazetës “The Financial Times”.

Gazeta citoi burime nga këto kompani që thanë se po i përgjigjeshin paralajmërimeve nga qeveria amerikane për një kërcënim në rritje nga spiunazhi kinez gjatë dy viteve të fundit.

Shqetësimet për spiunazhin kibernetik kinez

Në një mesazh të dhënë në prill, drejtori i FBI-së, Christopher Wray tha se qeveria kineze është përpjekur të vjedhë “pronësi intelektuale, teknologji e materiale kërkimore” nga industritë amerikane. Si përgjigje, Amerika ka rritur masat e sigurisë gjatë dy viteve të fundit, përfshirë përditësimin e rregulloreve të kontrollit të eksportit, me synimin për të kufizuar aftësinë e Kinës për të siguruar mikroprocesorë të avancuar kompjuterikë e Inteligjencë Artificiale.

Pjesë e përgjigjes janë dhe paralajmërimet e përforcuara ndaj kompanive amerikane. Ivan Kanapathy, përfaqësues i lartë i “Beacon Global Strategies”, kompani që vepron në fushën e sigurisë kombëtare i tha Zërit të Amerikës se drejtuesit e “Silicon Valley-it” ndajnë të njëjtin shqetësim me atë të qeverisë amerikane.

Vitet e fundit, kompanitë e teknologjisë janë bërë më të kujdesshme, ato nuk duan të bien viktimë e strategjisë kineze për të marrë teknologji. Kompanitë nuk kanë luksin të përballojnë konkurrentë që do t’i nxirrnin ata nga tregu dhe e kemi parë këtë të ndodhë në shumë industri. Eshtë e natyrshme për kompanitë amerikane dhe ato aleate në fushën e teknologjisë, që të jenë të shqetësuara e të ndërmarrin hapa për të minimizuar rreziqet e spiunazhit të sponsorizuar nga shteti kinez.

Ray Wang, drejtues ekzekutiv i kompanisë “Constellation Research”, me bazë në “Silicon Valley”, tha se vjedhja e pronësisë intelektuale amerikane është bërë më e shfrenuar që nga shpërthimi i pandemisë COVID-19. Ai shton se Pekini vinte në shënjestër persona që kanë lidhje me Kinën.

Kanapathy shprehet se Kina mund të marrë teknologjinë amerikane edhe përmes asaj që njihet si “praktika e vjedhjes së talenteve”, që do të thotë se ata rekrutojnë dikë me përvojë në një teknologji të caktuar dhe i kërkojnë të marrë informacion mbi teknologjinë, për të hapur kompani të re në Kinë. Edhe pse nga pikëpamja etike kjo praktikë është e diskutueshme, ndonjëherë është e ligjshme.

Ka të ngjarë që Kina të përpiqet gjithashtu të vendosë njerëzit e saj, përfshirë inxhinierë, në disa kompani të cilat kanë teknologji me interes për të. Eshtë strategji shumëplanëshe.

Për Zërin e Amerikës, zëdhënësi i ambasadës kineze, Liu Pengyu, tha se ishte në dijeni për akuzat, por shtoi se qeveria amerikane “nuk ka arritur të japë prova të forta”.

Ne kundërshtojmë me vendosmëri akuzat dhe shpifjet e pabaza ndaj Kinës dhe shpresojmë që palët përkatëse ta shohin zhvillimin e Kinës në mënyrë objektive e të drejtë.

Vitin e kaluar, Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale e renditi ekonominë kineze të parën në botë ndër vendet me të ardhura të nivelit të mesëm e të 12-tën në përgjithësi, sa i përket krijimit në mënyrë të pavarur të të drejtave të pronësisë intelektuale.

Arritjet shkencore dhe teknologjike të Kinës nuk bëhen kurrë përmes “vjedhjes”. Populli kinez, përfshirë intelektualët, kanë shënuar arritje të tilla me talentin dhe punën e palodhur.

Shqetësimet mbi kontrollin për elementët e sigurisë

Wang tha se zbatohen masa të shtuara mbi kontrollin për elementët e sigurisë të të gjithë punonjësve. Kompanitë Google dhe OpenAI kanë vendosur kontrolle më të rrepta për punonjësit kinezë dhe Microsoft po transferon disa nga inxhinierët e saj më të rëndësishëm kinezë nga Kina në rajone të tjera të botës; korporata NVIDIA ka qenë gjithashtu shumë vigjilente në procesin e skanimit të tyre.

Punonjësve të kompanisë Microsoft në Kinë, kryesisht të angazhuar në fushën e ruajtjes së të dhënave kompjuterike, kohët e fundit iu ofrua mundësia për të punuar në Shtetet e Bashkuara, Australi ose Irlandë, si dhe në vende të tjera, tha një burim shtetëror.

Gazeta Wall Street Journal raportoi se kompania Microsoft u kërkoi rreth 800 punonjësve, kryesisht inxhinierë me kombësi kineze që punojnë në fushën e ruajtjes së të dhënave kompjuterike dhe Inteligjencës Artificiale, që të konsideronin idenë për t’u zhvendosur. Ai shtoi se kompanitë duhet të tregojnë kujdes për të shmangur nxitjen e ksenofobisë.

Pra, pothuajse çdo punonjës i ri, jo vetëm shtetas kinezë, duhet t’i nënshtrohet të njëjtit proces verifikimi. Mendoj se është me të vërtetë e rëndësishme.

Deritani, ky nuk ka qenë problem për Joey Wu, një inxhinier kompjuterik kinez në Kaliforni. Ai i tha Zërit të Amerikës se nuk ka parë masa më të rrepta ndaj qytetarëve kinezë dhe as nuk është trajtuar ndryshe për shkak të shtetësisë.

Mendoj se Shtetet e Bashkuara janë relativisht tolerante dhe të hapura. Nuk është e lehtë për një kompani të madhe teknologjike të ketë kaq shumë punonjës të huaj. Kompanitë kineze, si Huawei, janë plot me punonjës kinez, me shumë pak të huaj dhe nuk ka gjasa që amerikanët të punësohen në një masë të tillë sa të luajnë një rol më të rëndësishëm.

Themeluesit e shumë kompanive teknologjike janë vetë nga Kina ose India dhe po kërkojnë kontrolle sigurie për qytetarët kinezë. Zëri i Amerikës kontaktoi Google, OpenAI e Sequoia për komente, por nuk mori përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.