E ftuar në episodin e sotëm të “Pardon My French” me Jonida Aliçkolli, Lei Kraja dhe Arbër Çepani ka qenë moderatorja Sidorela Gjoni. Ajo momentalisht moderon emisionin “Shqipëria Live”, e cila më parë drejtonte “Breaking News” në Top News. Me një eksperiencë disa vjeçare në gazetari, kryesisht në fillimet e saj në botën sportive, vjen në këtë intervistë ekskluzive për dëgjuesit e Top Albania Radio.
Pak përpara se të niste emisioni, GJKKO shpalli vendimin për Ilir Metën, Monika Kryemadhin, Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun. Gjykata e posaçme ka lënë në fuqi arrestin me burg për ish-presidentin Ilir Meta. Detyrim paraqitje për deputeten Monika Kryemadhi, Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun. Sigurisht nuk mund të anashkalohej analiza e këtij vendimi të rëndësishëm, ku edhe Sidorela dha edhe opinionin e saj për arrestimin e tij:
Aq i ashpër sa është treguar Meta në konferenca dhe pastaj ka parë një sjellje të atij lloji, nuk ka pasur të ketë atë qetësi dhe t’u thotë që ‘prisni se po vi me ju’. Ishte ekzagjerim shumë i madh.
Arbër Cepani e mbështeti mendimin e saj, duke shtuar se nuk ishte një arrestim i denjë për një figurë të rëndësishme publike, siç është ajo e një ish-presidenti. Më tej, Sidorela shtoi:
Është si është na ka përfaqësuar në arenat ndërkombëtare. Mendoj që reagimi i Ministrit të Brendshëm Z.Hoxha ishte i ekzagjeruar. Pati një reagim një ditë pas. Reagimi i tij për të mbrojtur forcat policore mendoj që ishte i ekzagjeruar, sepse Z.Hoxha nuk mund t’i pengojë gazetarët të japin mendimin e tyre. Nëse një gazetar mendon që ishte i ekzagjeruar, do ta thotë. Nuk besoj se ndokush këtu e ka personale me policinë. Të gjithë e respektojmë policinë dhe të gjithë e kanë numrin e parë që marrin kur ka ndonjë problematik. Kështu që, që e duam policinë e kemi treguar të gjithë.