Aktualitet

Si u ‘kapën mat’ trafikantët që kishin laboratorin në Fier, morën kokainën në Tivar!

Laboratori i drogës në Fier është zbuluar pasi në muajin korrik u pikas një sasi e madhe e kokainës në Tivar në Mal të Zi. Ajo u mbajt nën vëzhgim prej disa muajsh dhe pasi është marrë nga atje dhe është sjell në Fier është ndërhyrë.

Kështu një sasi e madhe kokaine e cila kishte mbërritur nga vendet e Amerikës Latine, e kapur në Portin e Tivarit në Malin e Zi, ka zbuluar një laborator kokaine në fshatin Fratar të Fierit.

Kokaina, e cila ishte e fshehur në 400 kg thasë me pleh kimik, e kapur në muajin korrik të këtij viti është mbajtur nën vëzhgim, për të zbuluar edhe destinacionin se ku do të shkonte kokaina.

Në operacion janë angazhuar SPAK, policia dhe partnerët, ndërkohë që momentalisht raportohet për disa persona të arrestuar.

Lënda narkotike dyshohet se ka hyrë në vend nga Kolumbia dhe përpunohej në këtë laborator.

Operacioni është organizuar nga DEA amerikane në bashkëpunim me SPAK dhe policinë malazeze. 400 kg pleh kimik ka ardhur nga Mali i Zi me Shqipëri e përzier me kokainë.

Deri tani janë arrestuar 15 persona. Katër të arrestuarit në Tiranë gjatë ditës së sotme janë pjesë e këtij grupi. U arrestuan sepse kanë dalë në përgjime dhe mbaheshin në vëzhgim. Gjatë operacionit u sekuestruan dhe 2 kallashnikovë, një shotgun dhe një çifte.