Është makthi i çdo prindi të ketë një fëmijë që nuk do të ndalojë së qari kur të jetë koha për të fjetur. Por e dini se ka edhe më keq? Foshnja më në fund bie në gjumë në krahët tuaj, por zgjohet përsëri dhe fillon të qajë kur shtrihet në krevat fëmijësh. Zgjidhja është një çift numrash magjikë, pesë dhe tetë, sipas studiuesve japonezë që bënë eksperimente me 21 nëna duke u përpjekur t’i përgjumnin të vegjlit e tyre.
Ja se si funksionon: Ecni me fëmijën tuaj për të paktën pesë minuta, kohë në të cilën i vogli do të jetë i qetë, nëse jo në gjumë, sipas studimit. Më pas uluni dhe mbajeni fëmijën për tetë minuta të tjera përpara se ta vini në krevatin e tyre.
Vendosja e foshnjës në shtrat pa u ulur më parë duke e qetësuar për tetë minuta është gabimi që keni bërë deri më sot, sipas bashkautorit të studimit Dr.Kumi Kuroda, udhëheqës i ekipit të njësisë së sjelljes shoqërore afiliative në “RIKEN Center for Brain Science in Saitama”, Japoni. Kuroda në një deklaratë tha:
Edhe pse nuk e parashikuam, parametri kryesor për shtrirjen e suksesshme të foshnjave në gjumë ishte qetësimi nga fillimi i gjumit. Kam rritur katër fëmijë dhe kam kryer këto eksperimente, por as unë nuk mund të parashikoja rezultatet kryesore të këtij studimi derisa dolën të dhënat statistikore.
Udhëzimet për kohën mund të jenë të dobishme për disa prindër dhe kujdestarë, por jo domosdoshmërisht do të funksionojnë për të gjithë, tha pediatria e Atlantës, Dr.Jennifer Shu, kryeredaktore mjekësore e faqes së internetit të prindërimit të “American Academy of Pediatrics’ parenting”. Prindërit dhe kujdestarët nuk duhet ta përdorin rregullisht këtë teknikë nëse një foshnjë mund të bie në gjumë vetë, shtoi Shu, i cili është gjithashtu bashkëautore e “Heading Home With Your Newborn: From Birth to Reality.” Shu tha në një email:
Qëllimi duhet të jetë të sigurohemi që foshnja të flejë mirë duke përdorur këtë ose teknika të tjera, ndërsa përfundimisht t’i inkurajojmë që të bien në gjumë vetë, si në fillim të gjumit, ashtu edhe gjatë natës (kur zgjohen).
Studiuesit monitoruan rrahjet e zemrës së foshnjës dhe incizuan çdo seancë për të regjistruar kohën dhe përgjigjen. Ulja dhe mbajtja pa lëvizur e një fëmije që qante nuk funksionoi, sipas studimit, monitorët treguan se rrahjet e zemrës së foshnjës u rritën dhe sjellja vazhdoi. Çuditërisht edhe vendosja e foshnjës që qan drejtpërdrejt në krevat gjithashtu nuk funksionoi.
Vetëm lëvizjet i qetësuan foshnjat, zbuloi studimi. Brenda pesë minutave, të gjitha foshnjat e bartura nga nënat në këmbë kishin pushuar së qari, rrahjet e zemrës ishin ngadalësuar dhe 46% e foshnjave ishin në gjumë. Një tjetër 18% e foshnjave ranë në gjumë brenda disa minutave të tjera, zbuloi studimi. Studiuesit panë rezultate të ngjashme kur prindërit i shtynin foshnjat në karroca, por ndikimet nuk ishin aq të forta.