Lifestyle

Si ta mësoni fëmijën që të menaxhojë me përgjegjësi paratë…

Sot fëmijët fillojnë të ballafaqohen herët me paratë dhe shpejt e kuptojnë forcën e tyre. Prandaj është mirë t’i përfshini në kohë dhe t’i mësoni t’i menaxhojnë paratë dhe të marrin vendime. Koha më e mirë për këtë është kur fëmija të fillojë të kuptojë çfarë është paraja dhe përse shërben dhe kjo zakonisht ndodh kur fëmija mbush 5 vjeç. Me atë rast paratë e xhepit duhet t’i përshtaten moshës.

Në këtë mënyrë fëmijët mësojnë ta lënë për më vonë kënaqësinë, të ndërtojnë durimin dhe përgjegjësinë. Më së shpeshti prindërit u japin fëmijëve para xhepi si shpërblim për kryerjen e punëve shtëpiake, mirëpo psikologët thonë se kjo nuk është zgjidhje e mirë. Secila familje ka punë dhe obligime të shumta të përditshme, të përjavshme dhe të përmuajshme në shtëpi, ndërkaq fëmijët duhet të jenë pjesë e tyre nga fillimi, pa kushte dhe shpërblime të veçanta. Kështu secili anëtar i kontribuon bashkësisë familjare dhe ka rolin e vet.

Kjo duhet të jetë pjesë përbërëse e jetës, jo mënyrë me të cilën fëmijët fitojnë para. Nëse më vonë ua ndërpritni shpërblimin, fëmijët do të refuzojnë t’i bëjnë punët për të cilat më herët kanë qenë të motivuar me para. Megjithatë, është mirë që herë pas here t’u jepni shansin që të meritojnë para në mënyrë që të bëjnë ndonjë punë apo ndonjë detyrë më të madhe në shtëpi. Psikologët theksojnë që fëmijëve kur janë të vegjël duhet lënë që t’i menaxhojnë në mënyrë të pavarur paratë e tyre.

Këshilloni, por mos u përzieni nëse përnjëherë vendosin t’i shpenzojnë të gjitha në lodra të shtrenjta. Me kalimin e kohës do të dinë gjithnjë e më mirë që me përgjegjësi t’i menaxhojnë parat, si edhe të dallojnë se çfarë vërtet u nevojitet dhe çfarë është dëshirë kalimtare. Disa ekspertë rekomandojnë që fëmijëve të vegjël para xhepi është mirë t’u jepen një herë në javë, ndërkaq fëmijëve të moshës mbi dhjetë vjeç një herë në muaj. Midis moshës 6 dhe 10 vjeç fëmijët do të duhej të mësojnë vlerën e parave, kuptimin e kursimit dhe të kartave të kreditit.