Sot i ftuar në emisionin “Pasó” ka qenë Artan Hoxha, për të folur në lidhje me emocionet që ai ka përjetuar para dhe pas ndeshjes historike të Shqipërisë dhe Serbisë. Ajo ishte një ndeshje e vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian të Futbollit 2016, e cila u zhvillua më 14 tetor 2014 në stadiumin e Partizanit në Beograd. Ndeshja u ndërpre pas hedhjes së flakadanëve dhe objekteve të tjera në fushë nga ana e tifozëve serbë.
Me thënë të drejtën ka qenë një ndeshje që unë e kam ëndërruar për të qenë në stadium, nuk kam parë dhe përjetuar më një ndeshje të tillë si ajo, një rast i rrallë dhe e di që nuk jepet më si mundësi. Në momentin kur u hodh shorti e programova që do të isha atje. Edhe kur mora vesh që nuk duheshin tifozë shqiptarë kjo më intrigojë më shumë për të qenë atje në stadium. Kombëtarja jonë na dha mundësinë për të përjetuar një sukses. Kemi hyrë në stadium si punonjës të televizionit edhe pse atmosfera ndihej që në aeroport ku edhe na kanë mbajtur për më shumë se 4 orë. Ishte një vendim që u mor aty për aty nga policët. U mundësua kalimi vetëm pas lidhjes direkte kur unë publikova emrat dhe Ambasada Serbe në Shqipëri njoftoi më pas që të kalonim.
Gazetari investigativ ka vijuar duke thënë se:
Unë në Beograd kisha qenë edhe në pesë ndeshje të tjera dhe e kisha idenë se çfarë ndodhte por ajo që pashë ishte krejtësisht ndryshe. Unë jam larguar në orën 03:00 të mëngjesit nga stadiumi kur të gjithë kishin ikur, edhe autobusi i Kombëtares. Mesa kam parë në stadium arbitri e ka ndërprerë ndeshjen pa e parë dronin ende, sepse edhe ne që ishim në stadium mezi e kemi kuptuar që ishte Ismail Qemali dhe Isa Boletini në atë flamur. Ajo ndeshje do të jetë e paharrueshme.