Sot e ftuar në emisionin “Pardon My French” ka qenë shkrimtarja e njohur, Rita Petro. Ajo ka zbuluar më shumë detaje për karrierën e saj ndër vite dhe për librin e ribotuar për të katërtën herë “Lindur së prapthi”. Një sukses ky për shkrimtaren mjaft të njohur në vendin tonë dhe jo vetëm…
Mua ma ka botuar Onufri, nuk e kam botuar në shtëpinë time botuese. Është një kënaqësi të ta botojnë dhe të kujdeset një botues tjetër. Je më i besueshëm.
Për Rita Petron a ka qenë rrugëtim i vështirë për të arritur deri këtu ku është sot si një nga shkrimtaret më të mira që ne kemi?
Unë e kam nisur me poezi dhe kam shkruar gjithmonë vetëm poezi. Asnjëherë nuk kam menduar që do të ulesha një ditë dhe do të shkruaja në prozë sepse më duket sikur unë nuk di të rrëfej unë di vetëm të shpreh ndjesi dhe t’i koncentroj të gjitha mendimet e mia. Për librin “Lindur së Prapthi” ka lindur në fillim titulli. Unë kisha bërë titullin dhe kisha 100 gjera në mendje. E kisha nisur në fillim “Lindur anapolla” sepse është një fjalë greke që e përdornin shumë edhe nga jugu. E përdorte mamaja, një shprehje që për çdo gjë ose çdo gabim ose faj që bëja “Po normal se ti ke lindur së prapthi, anapoIla. Ishte hera e parë se gjithmonë shkruaja librin dhe pastaj gjej titullin, të paktën me librat me poezi. Në këtë rast rrinte titulli atje, e postova madje mora edhe mendime. Ndenji gjatë sepse unë e mbaj shumë në kokë një libër dhe kur unë ulem dhe shkruaj mund ta përfundoj edhe për dy javë, bëhet libri qoftë edhe një roman 200 faqe. E kam komplet në kokë.
A mund të bëhet libri film?
Ka shumë imazhe. Madje libri im i famshëm që edhe ju e njihni “Vrima” u bë balet që e vuri Arjan Sukniqi dhe u bë nami atëherë edhe në teatër. U bë shumë bukur, nuk ishte shembur Teatri Kombëtar. Vërtet u bashkua baleti sepse i bëri një koreografi shumë të bukur Arjani. Baleti me aktorët ishte hera e parë që bëhej një gjë e tillë dhe me recitime. Performancë e mrekullueshme.