Tingulli i gërhitjes së maces qetëson nervat e acaruara, zvogëlon dhimbjen dhe shpejton shërimin e njerëzve, ka treguar hulumtimi i bërë në Universitetin Missouri në kuadër të Sektorit të Mjekësisë Veterinare. Gërhitja emetohet në frekuencën prej 25 deri në 100 hertz, e cila përdoret në mjekësinë humane në rastet e shërimit të eshtrave me ultrasaund, frakturave dhe inflamacionit të muskujve.
Ekspertët theksojnë që macet me gërhitje shërojnë më shpejt se të gjitha kafshët e tjera, sepse tingulli i tillë te njerëzit nxit çlirim të shtuar të endrofinës dhe pikërisht kjo zvogëlon dhimbjen dhe ofron ndjenjën e qetësisë. Macet janë eksperte në ruajtjen dhe magazinimin e energjisë në organizmin e tyre, posaçërisht në periudhën e dremitjes dhe pushimit ditor, sqaron dr. Leslie Lyons, ekspert i gjenetikës dhe profesor në Universitetin Missouri. Kur njerëzit i marrin në krah dhe i përkëdhelin, ato gërhasin me kënaqësi dhe me atë rast nuk shpenzojnë kurrfarë energjie tjetër, por as nuk lodhen me rastin e emetimit të atyre vibracioneve, sqaron mjeku.
Po ashtu, mbajtja e një maceje mund të zvogëlojë rrezikun e një ataku në zemër me gati një të tretën, sipas studiuesve në Institutin Stroke të Universitetit të Minesotës, në Mineapolis të Shteteve të Bashkuara. Zbulimi ishte rezultati i një studimi 10-vjeçar i kryer te më shumë se 4 mijë amerikanë të moshës 30 deri në 75 vjeç. Gjithashtu, 435 nga pjesëmarrësit ishin pronarë aktualë ose ish-pronarë macesh, ndërsa 2 mijë të tjerë nuk kishin pasur kurrë një mace. Studiuesit zbuluan se gjatë një periudhe 10-vjeçare, pronarët e maceve treguan 30% më pak rrezik vdekjeje nga ataku në zemër në krahasim me ata që nuk kishin mace.
Nga ana tjetër, sipas shkencëtarëve, një parazit i gjetur në jashtëqitjen e maces mund të jetë një trajtim i ardhshëm për çrregullime neurologjike si sëmundjet e Alzheimerit dhe Parkinsonit. Një formë e modifikuar e Toxoplasma gondii, një parazit i zakonshëm që gjendet në jashtëqitjen e maces, u përdor në një eksperiment shkencor për të shpërndarë proteina në trurin e minjve.