Diplomati dhe shkrimtari i mirënjohur shqiptar, Besnik Mustafaj ishte i ftuari i parë i këtij episodi të “Dilema Sociale” në Top Albania Radio.
Para se të niste diskutimi mbi temën që lidhej me gjuhën e vrazhdë në publik, në rrjete sociale, në politikë e kudo, ai zbuloi për herë të parë për dëgjuesit tanë një detaj mjaft interesant. Besniku tha se në shtëpinë e tij nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë një televizor dhe megjithëse kjo duket si diçka e çuditshme dhe jo e zakontë, ai na vërtetoi se në fakt për të është krejt e kundërta.
Mustafaj tha se të gjithë në fshatin Priskë, ku ai ka një shtëpi, e dinë fare mirë se ai nuk mban televizor, madje kur takon ndonjë bashkëfshatar dhe ja zbulon këtë gjë, duket se atyre u vjen keq për të. Sigurisht kjo e bën për të qeshur sepse njerëzit e tjerë nuk e kuptojnë sesa i lumtur është ai në të vërtetë. Ish-politikani shtoi se jeton jasht mase i qetë dhe kjo e ndihmon të shkruajë, pra ka një avantazh të madh.
Politika i la atij deformimin e madh dhe fiksimin për të qëndruar gjatë gjithë kohës pranë televizorit për të ndjekur lajmet dhe pasi u largua nga kjo e para, Besniku gjeti të gjithë qetësinë që i nevojitej. Tani ai është një dëgjues i mirë i radios, një shkrimtar me një pasion të madh i cili nuk përdor as internet. Nëse vjen puna tek televizioni herë pas here shkon në klubin e lagjes për të parë ndonjë ndeshje ama nuk shkon më larg se kaq.