Bota Film & Tv

Si Jeffrey Dahmer për Halloween?! Ideja që po “josh” njerëzit në fakt po shqetëson nënën e një prej viktimave!

Një nga serialet më të rinj të Netflix është bërë më i shikuari në javën e tij të parë, duke kaluar 500 milionë shikime në 7 ditë e duke lënë kështu pas serialet e tjera të famshme të platformës: “Squid Game” dhe “Bridgerton”. “Monster: The Jeffrey Dahmer Story” tregon vrasjet e Jeffrey Dahmer në 10 episodet e tij. I krijuar nga Ryan Murphy, seriali bazohet në historinë e vërtetë të njërit prej vrasësve serialë më famëkeq në SHBA, i cili i hante viktimat e tij. Ky serial debutoi në 21 shtator dhe u pa nga 196,2 milionë persona.

Ndërkaq, një nga viktimat e Dahmer ishte Toni. Shirley Hughes, nëna e të ndjerit, tha se kostumet e reja të Halloween në formën e vrasësit janë shqetësuese dhe shkaktojnë shumë trauma në familjet e viktimave. Çështja shkaktoi reagime në Twitter me disa përdorues që sulmuan Netflix për rikthimin e historisë së vrasësit. Shirley Hughes ka thënë tashmë se gjërat nuk ndodhën ashtu siç i portretizon seriali i Netflix.

Unë nuk e kuptoj se si e bëjnë këtë. Nuk e kuptoj si i përdorin emrat tanë dhe i tregojnë këto gjëra.

Kostumi i Dahmer përfshin syzet e tij të njohura, një parukë bionde dhe një këmishë me mëngë të shkurtra. Seriali i Netflix ka frymëzuar gjithashtu një kanadez, i cili shet artikujt e vrasësit në internet. Megjithatë, shumë po paralajmërojnë njerëzit që të mos e zgjedhin këtë kostum për Halloween pasi nuk është aspak qesharak dhe nuk i përshtatet frymës së festës.

Jeffrey Dahmer vrau dhe më pas hëngri pjesë të trupave të 17 djemve dhe burrave midis viteve 1978 dhe 1991, kur u arrestua nga autoritetet. Ai u dënua me burgim të përjetshëm dhe më pas u vra nga një i burgosur tjetër në vitin 1994 brenda një burgu të Wisconsin. Ndërkaq, syzet që Jeffrey Dahmer mbante në burg kanë dalë në shitje për 150,000 dollarë.