Ditën kur është kryer transferta e mbi 18 milionë eurove të biznesmenit italian Francesco Zummo është sinjalizuar edhe Prokuroria e Posaçme, që ka regjistruar menjëherë procedimin penal për pastrim parash.
Referimi është bërë më datë 18 qershor të këtij viti, datë kur biznesmeni italian Zummo, ekonomisti Fabio Petruzzella, i shoqëruar edhe nga dy personat që u arrestuan pak ditë më parë në Shqipëri, kanë hapur llogari bankare në Malin e Zi dhe më pas në Shqipëri. Sipas dosjes hetimore, në kohën kur ekonomisti Petruzzela ka ardhur në bankën shqiptare për ta kaluar këtë shumë në kompanitë e biznesmenit Rezart Taçi, punonjësit i kanë thënë se transaksioni ende nuk ishte kryer.
Ai është larguar për t’u rikthyer sërish në të njëjtën bankë, bashkë me një statement që dëshmonte kalimin e vlerës monetare. E megjithatë, as këtë herë nuk ka arritur të realizojë transfertën, pasi në kuadër të hetimeve që tashmë po kryheshin nga SPAK, banka ka kërkuar një prokurë të Francesco Zommo-s.
Herën e tretë ekonomisti është paraqitur me prokurë, por i është kërkuar me vulë apostile, megjithëse llogaria ishte hapur e tillë që të kishin akses të dy. Në kohën që ata kanë mësuar se llogaria ishte sekuestruar, kanë nisur diskutimet me njëritjetrin, biseda që janë përgjuar nga autoritetet italiane. Prokuroria e Palermos ka zbardhur kalimin e 23 milionë eurove nga disa llogari në Zvicër në të tjera të hapura në Shqipëri, falë lehtësuesve, ndërmjetësit zviceran, por me origjinë italiane, Daniele Cestagalli dhe Taçit.
Gjyqtari Alfredo Montalto beson se përgjimet janë shumë të përgjithshme për të identifikuar se për kë bëhet fjalë. Një pjesë e parave u bllokua në llogarinë e hapur në Tiranë. “Gjëja është bërë, – tha Cestagalli, – varet vetëm nga kjo copë m… me ministrat e qeverisë shqiptare…”, thuhet në përgjim. Fondi “Plutonit” është pjesë e listës së pasurive të konfiskuara të Zummo-s dhe familjes së tij.
Ky fond ishte depozituar në një bankë në Nassau në Bahamas, në emër të gruas së Zummo-s. Petruzzella i shpjegoi bashkëpunëtorit të tij se bllokimi i parave në Shqipëri po krijonte probleme, por thoshte se mund ta “marrësh atë në Bahamas”.
VERIFIKIMI I PASURISE
Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit do të verifikojë të gjitha pasuritë e biznesmenit të hidrokarbureve Rezart Taçi, i shpallur në kërkim me akuzën e pastrimit të parave dhe grupit të strukturuar kriminal. Oficerët e grupit hetimor pritet t’u kërkojnë informacion bankave të nivelit të dytë në vend për të identifikuar llogaritë bankare në emër të Taçit dhe familjarëve të tij, si dhe zyrës së pasurive të paluajtshme. Ndërkohë, nga përgjimet që ndodhen në dosjen e autoriteteve italiane është regjistruar një bisedë më datë 5 tetor mes Rezart Taçit e Fraçesko Zummo-s, ku biznesmeni shqiptar i jepte siguri 90-vjeçarit për shumën prej mbi 18 milionë eurosh që u transferua nga Zvicra në një bankë greke në Shqipëri.
Sipas Prokurorisë, personi që është kujdesur për proceduat e transferimit të parave ishte ekonomisti i Zummos, Fabio Petruzella. Fillimisht Petruzella e Zumo udhëtuan drejt Shqipërisë dhe më pas qëndruan për një natë në Mal të Zi, atje ku hapën një llogari bankare për transferimin e parave. Në të njëjtën ditë udhëtuan drejt Shqipërisë dhe iu drejtuan bankës greke ku hapën dy llogari bankare me qëllim që paratë të kalonin nga Zummo te Petruzella. Ky i fundit qëndroi disa ditë në një hotel luksoz në kryeqytet për të bërë të mundur transferimin e parave.
Fillimisht punonjësit e bankës kanë refuzuar të bëjnë kalimin e shumës së eurove nga emri i Zumo-s te Petruzella me pretendimin se paratë nuk kishin ardhur ende nga Zvicra. Për këtë Petruzzella kërkoi informacion në bankën e Zvicrës dhe konfirmoi se lekët ishin transferuar prej 2 ditësh. Po kështu, në dosjen hetimore thuhet se punonjësit e bankës i kanë kërkuar Petruzella-s që të pajiset me një prokurë të posaçme të lëshuar nga Zummo dhe në kohën që ai e dorëzoi, sërish nuk u bë kalimi i shumës.
Për të gjitha këto ai komunikoi me Rezart Taçin duke i shprehur shqetësimin se diçka nuk shkonte. Ka qenë Taçi që informoi Petruzella-n se shuma e parave është sekuestruar, por do të zgjidhet. Taçi është shpallur në kërkim dhe autoritetet italiane kanë kryer kontrolle në Romë dhe Milano për kapjen e tij, por nuk kanë mundur ende ta prangosin.
PJESE NGA PERGJIMET
Më 18 tetor 2021, Petruzzella duke folur me partneren e tij, i tregon që është akoma optimist për situatën dhe se nuk rezultonte që llogaria tek “Alpha Bank” të ishte sekuestruar. Megjithatë, ai thotë se ishte e nevojshme të bëhej një lëvizje “si fillim i zhdukim, pastaj i kalojmë për në Hong-Kong, ose diku tjetër”.
Fabio: Më tha duhet të rrish i qetë, jemi me fat që klienti është 90 vjeç…. Kështu që duhet të kalojnë tre muaj… Ai thotë: “Fabio, të kuptoj mirë, por nuk varet vetëm nga unë”.
Marina: Por e ke kuptuar që nuk varet vetëm nga ai? Domethënë është e vërtetë ajo që thotë?
Fabio: Po, po sigurisht.
Marina: Se e ke parë vetë?
Fabio: Ma tha me siguri, se drejtori i bankës thotë që gjërat nuk kanë qenë, nuk janë dhe nuk do të jenë ndonjëherë të ndërlikuara.
Marina: Po ti vetë çfarë përshtypjesh ke?
Fabio: Që kanë nevojë për kohë, që nuk ka ndonjë problem serioz. Përndryshe do të kishin mbërritur…
Marina: Te kush? Tek ata apo te Zummo?
Fabio: Te Zummo… në fillim i zhdukim, pastaj i kalojmë në Hong-Kong ose diku tjetër.