Shumë prej nesh e quajnë atë “kimi”, por të biesh në dashuri nuk është një shkencë e përsosur. Është e ndryshme për secilin nga ne dhe mbështetet në të gjitha llojet e faktorëve, nga sa tërheqës fizikisht e gjeni dikë deri tek nëse ndiheni rehat në praninë e tij. Megjithatë, hulumtimi ka hedhur pak dritë mbi atë që po ndodh në tru kur ne i ndiejmë ato fluturat e para dhe sasinë e kohës që u duhet njerëzve që të bien në dashuri.
Një sondazh i vitit 2013 i kryer nga “YouGov” dhe faqja e takimeve “eHarmony” zbuloi se koha e marrë nga takimi i parë deri në të thënë “Të dua” ndryshon midis meshkujve dhe femrave.
Koha mesatare që burrat të bien në dashuri është 88 ditë, ndërsa të njëjtat ndjenja të dashurisë së vërtetë u marrin grave 134 ditë. Një faqe tjetër takimesh, “Elite Singles”, bëri një sondazh në 2017 dhe zbuloi se vetëm 61 për qind e grave besojnë në dashurinë me shikim të parë, ndërsa për burrat rreth 72 për qind.
Këto sondazhe u fokusuan në marrëdhëniet heteroseksuale. Llojet e tjera të marrëdhënieve janë studiuar më pak, megjithëse një studim i vitit 2000 i Match.com me persona homoseksualë zbuloi se mesatarisht ata deklaruan dashurinë ose angazhimin e tyre ndaj një partneri pas gjashtë muajsh.
Si ndikon dashuria në trurin tonë?
Nga pikëpamja neurologjike, lidhjet që ne i ndiejmë si dashuri janë për shkak të hormoneve oksitocinë dhe vazopresinë, të cilat aktivizojnë qendrën e shpërblimit në trurin tonë. Këto kërkojnë një pjesë të sekondës për të arritur në tru, dhe disa studime kanë treguar se vetëm shikimi i një personi që dashuroni mund të aktivizojë të njëjtin rajon të trurit që krijon ndjenjat e euforisë që lidhen edhe me disa droga. Madje disa e krahasojnë edhe me kokainën.
Por këto hormone nuk aktivizohen vetëm kur takojmë një person që na zgjon interes të mundshëm të lidhur me ndjesinë e të dashuruarit. Psikologu Arthur Aron krijoi një grup pyetjesh që mund ta përshpejtojnë këtë proces dhe potencialisht të ndihmojnë çiftet të dashurohen më shpejt.
Të njohura si “36 pyetjet që çojnë në dashuri”, ato kërkojnë që dy njerëz të jenë të pambrojtur dhe të ndajnë përvojat e jetës, të cilat mund të rrisin intimitetin dhe potencialisht të çojnë në dashuri. Megjithatë, ato nuk janë pyetje të shpejta, kështu që mund të duhet pak kohë për t’i kaluar të gjitha.
Ndërkaq, me rritjen e aplikacioneve për takime, veçanërisht gjatë bllokimeve të pandemisë së koronavirusit 2020, njerëzit kanë gjetur dashurinë edhe pa qenë në të njëjtin vend. Një sondazh i vitit 2021 nga aplikacioni i takimeve “Bumble” zbuloi se 67 për qind e njerëzve tani besojnë se është e mundur të biesh në dashuri me dikë që as nuk e ke takuar personalisht.
Dhe ndoshta kohëzgjatja që duhet për të rënë në dashuri është thjesht sa shpejt mund t’i përgjigjeni mesazheve me tekst.