E ftuar sot në “S’e Kam me Ty” ishte Iva Tiço për të folur për gjithçka. Nga karriera deri në dasmën private, gazetarja e njohur u shpreh si kurrë më parë në një intervistë të sinqertë. Teksa tregoi hapat e parë të karrierës në gazetari, ajo u shpreh:
Kur isha e vogël nuk kisha ëndrra gazetarie, por ëndrra me letërsinë, shkrimin. Më kishin dhënë një besim të madh pastaj, nuk e di nëse e kisha qejf gazetarinë në punën e parë. Ishte pak më e thjeshtë në ato vite të hyje. Kishte shumë pak media, por jo shumë kërkesë. Të hapnin derën dhe të mësonin.
Duke krahasuar gazetarinë dikur dhe sot, Iva tha:
Tani më vjen keq për gazetare të reja sepse tani nuk e kanë këtë shans. Atë periudhë të mësonin si të ndërtoje shkrim, kishte disa të mira. Sot dukem shumë pesimiste, por e shoh shumë të errët, nuk merret seriozisht, fjala ka pak peshë. Kur unë nisa kishte një përgjegjësi të madhe, një gabim të vogël kishte shumë rëndësi. Në atë periudhë gazeta ishte shumë e besueshme. Tani shoh shumë pak shpresë, ose do jetë një gazetari e re që ndoshta unë nuk jam gati. Ndoshta do jetë ndryshe, por nuk është e thënë të jetë më keq.