Filmi horror i Damien Leone “Terrifier 3” u shfaq së fundmi në Londër dhe tronditi shumë shikues. Signature Entertainment, distributori i filmit, postoi në rrjetet sociale se 11 persona u larguan nga shfaqja dhe një person kishte të vjella. “Nëse ‘Terrifier 3’ ju ka prekur, ju lutemi na tregoni nëse keni nevojë për mbështetje shtesë në këtë moment”-thuhet gjithashtu në njoftim. Gjithashtu u dha një paralajmërim se filmi përmban dhunë ekstreme.
Leone njoftoi në X (ish-Twitter) se ai ishte dëshmitar i “gjërave të çmendura” në këtë shfaqje. Ai më herët deklaroi se kjo arritje e tij kinematografike është aq tronditëse sa Hollywoodi e refuzoi. “Shkova në studiot e Hollywoodit që donin të filmonin ‘Terrifier 3’. Shkova në takime para se të shkruaja skenarin. Ata ishin të shqetësuar për skenat e përgjakshme dhe shumë më tepër. E dija që nuk do të më lejonin të filmoja”-tha ai.
“Terrifier 3” tregon historinë e Art kllounit, i cili fillon një zbavitje vrastare mbi banorët e qytetit të Miles County ndërsa ata shkojnë në mënyrë paqësore për të fjetur në prag të Krishtlindjeve. Rolet në këtë film janë luajtur nga David Howard Thornton, Lauren LaVera, Antonella Rose, Elliott Fullam e të tjerë. Filmi shfaqet në kinematë amerikane duke nisur nga sot. “Ju garantoj se pesë minutat e para të këtij filmi do të jenë shumë të diskutueshme, por kjo nuk është as skena kryesore e vrasjes”-shtoi Leone.
Rikujtojmë se edhe “Terrifier 2″ mori shumë vlerësime. Ngjarja ndjek historinë e klounit Art që përcjell një vajzë adoleshente dhe vëllanë e saj në natën e Halloween. Pavarësisht dhunës dhe tmerrit, filmi mori vlerësime të shkëlqyera, ku disa e quajtën “filmi horror më i mirë i vitit”. Pjesë të filmit thuhet se janë aq të dhimbshme dhe të dhunshme, saqë disa kinema duhej të thërrisnin ambulancën, sepse shikuesve po u binte të fikët.