Filmi “The Pursuit of Happyness” i vitit 2006 me Will Smith në rolin kryesor ka pasur një ndikim të thellë tek shikuesit, duke i ndihmuar ata të rimendojnë edhe njëherë vlerat e jetës. Baza e filmit është një histori e vërtetë dhe emocionale që tregon jetën e Chris Gardner, një shitës pajisjesh mjekësore që përballet me varfërinë ekstreme dhe pa strehë, ndërsa mundohet të rrisë djalin e tij të vogël, të luajtur nga djali i tij real, Jaden Smith.
Chris, pasi humbet punën dhe përballet me vështirësi financiare, përfundon i pastrehë, duke kaluar natën në stacione metroje me djalin e tij. Ai arrin të sigurojë një internship të pa paguar në një firmë tregtimi aksionesh, ku lufton për një pozicion të përhershëm. Filmi pasqyron betejën e tij për mbijetesë dhe sakrificat e mëdha që ai bën për të mbrojtur djalin nga vështirësitë e jetës.
“The Pursuit of Happyness” është bazuar në autobiografinë e Chris Gardner dhe Quincy Troupe dhe, megjithëse është publikuar 18 vjet më parë, emocionet që ai transmeton vazhdojnë të mbeten të forta dhe aktuale. Pas publikimit, filmi ka fituar një sukses të madh nga shikuesit, të cilët shpesh e quajnë si një prej filmave që i ka bërë ata të rishikojnë edhe njëherë qëndrimin e tyre ndaj jetës dhe ëndrrave.
Një nga momentet më prekëse është kur Chris dhe djali i tij kalojnë një natë në tualetin e një stacioni metroje. Ky moment tragjik thekson dhimbjen dhe pasigurinë që ata përjetojnë, por gjithashtu pasqyron përkushtimin e Chris për t’i ofruar djalit të tij një të ardhme më të mirë.