Bota

Shuhet papritur në moshën 52-vjeçare reperi i njohur amerikan!

Reperi i famshëm amerikan Kaseem Ryan i njohur me emrin e artit KA, ka ndërruar jetë papritur në Nju Jork. Lajmin e bëri të ditur familja e tij përmes një postimi në rrjete sociale, duke konfirmuar vdekjen e 52-vjeçarit. “Ne jemi zemërthyer për të njoftuar vdekjen e Kaseem Ryan (1972-2024), reperit dhe producentit të njohur si Ka”-shkroi familja e yllit në një shënim në Instagram.

“I lindur dhe i rritur në Brownsville, Brooklyn, KA jetoi një jetë në shërbim të qytetit të tij, komunitetit dhe muzikës së tij. Si një veteran 20-vjeçar i Departamentit të Zjarrfikësve të Nju-Jorkut, ai vuri jetën e tij në vijën e parë për të mbrojtur bashkëqytetarët e tij. KA u ngrit në gradën e kapitenit të FDNY dhe ishte reaguesi i parë më 11 shtator 2001 gjatë sulmeve në Qendrën Botërore të Tregtisë. Ai lë një trashëgimi të jashtëzakonshme si artist, duke përfshirë 11 albume solo të njohura të vetë-publikuara. KA ka lënë pas gruan, nënën dhe motrën”-përfundon deklarata. Për ata që nuk e dinë, KA publikoi albumin e tij të fundit, “The Thief Next to Jesus”, më 19 gusht 2024.